Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme priti një delegacion parlamentar nga Finlanda

, 22.04.2009




Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot një delegacion parlamentar nga Finlanda nga komisioni homolog, i kryesuar Pertti Salolainen (Partia e Koalicionit Kombëtar).

“Jemi një vend, i cili vetëm para pak muajsh e ka festuar njëvjetorin e pavarësisë; një shtet në ethet e ndërtimit; një vend që ka nevojë për mbështetje, njohje dhe për zhvillim ekonomik të përshpejtuar”, është shprehur akademik Sabri Hamiti, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke u dëshiruar mirëseardhje parlamentarëve finlandezë dhe falënderuar vendin e tyre për mbështetjen e Kosovës.

Ai ka folur për punën legjislative të Kuvendit, sidomos për miratimin e Kushtetutës, të ligjeve sistemore për funksionimin e shtetit dhe të ligjeve që burojnë nga pakoja e Ahtisarit, dokumente këto që komuniteteve pakicë u garantojnë mbipërfaqësim dhe të drejta të jashtëzakonshme.

Kryesuesi i delegacionit parlamentar nga Finlanda, Pertti Salolainen, ka shprehur kënaqësinë që vjen për vizitë në Kosovën e pavarur, duke theksuar faktin se delegacioni, të cilit i prin ndodhet për një mision faktmbledhës. “Mëngjesin e sotëm e kemi kaluar me ushtarët tanë në KFOR, të cilët u shprehën krenarë për punën shumë të mirë që bëjnë në Kosovë”, ka theksuar Salolainen.

Në vazhdim parlamentarët finlandezë kanë shtruar pyetje të shumta me sfidat kryesore të Kosovës, për fushat që i mbulon komisioni mikpritës, për integrimin e komuniteteve pakicë, për programet zhvillimore të vendit etj.

Akademik Nexhat Daci ka folur për resurset natyrore dhe njerëzore të Kosovës, të cilësuara si më të mirat e vendeve të rajonit, që me një program të mirë qeveritar dhe shoqëruara me investime të jashtme garantojnë zhvillim të përshpejtuar të Kosovës.

Lufti Haziri ka folur për procesin e privatizimit dhe projektet më të mëdha investive, si termocentrali “Kosova e Re”.

Ardian Gjini ka dhënë shpjegime lidhur me raportet shumë të mira me BE-në dhe për projektin e lehtësimit të vizave ndërmjet vendeve të rajonit (“Minishengen-in”).

Dragisha Miriq, ndërkaq, u është përgjigjur pyetjeve lidhur me integrimin e pakicës serbe në institucione dhe në shoqërinë e Kosovës. “ Atë e stërgjysh kanë lindur në Kosovë. Jemi të të njëjtit mentalitet dhe duam të integrohemi mirë në këtë vend”, ka thënë ai, duke shtuar se ka raporte të mira dhe me qytetarë të Serbisë dhe me shqiptarë të Kosovës dhe se dëshiron që sa më parë të arrihet pajtimi ndërmjet këtyre dy vendeve.

Në pyetjen e mysafirëve për vendet me të cilat Kosova i ka raportet më të mira, Sabri Hamiti ka përmendur SHBA-të dhe BE-në, për faktin, siç është shprehur ai, sepse ato e kanë shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi (gjatë vitit 1999), si dhe Turqinë e cila viteve të fundit e ka mbështetur shumë Kosovën. Sa i përket bashkëpunimit ndërpqarlametar ai ka dalluar bashkëpunimin me Asamblenë Nacionale të Francës, Bubdestagun Gjerman, Parlamentin Slloven dhe Dhomën e Përfaqësuesve të Belgjikës.

Ty dy komisionet homologe janë pajtuar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit të Finlandës.
Komisioni për Punë të Jashtme priti një delegacion parlamentar nga Finlanda