Lajmet e fundit

Vizita e kryetarit të Kuvendit dr. Jakup Krasniqi në Kroaci

, 29.04.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në kuadër të një vizite dyditore në Kroaci, sot u prit nga kryetari i Saborit të Republikës së Kroacisë, zoti Luka Bebiq.

Të dy kryetarët biseduan në frymë miqësie dhe në funksion të thellimit të marrëdhënieve ndërparlamentare e ndërshtetërore midis dy vendeve.

Zoti Krasniqi e njoftoi homologun e tij me zhvillimet në Kosovë, me të arriturat e Kuvendit dhe për proceset integruese të brendshme dhe evropiane të Kosovës. Ai shprehu nevojën e thellimit të marrëdhënieve të mira midis dy parlamenteve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kryetari Krasniqi falënderoi shtetin kroat për mbështetjen parimore që i ka bërë Kosovës në procesin e pavarësimit dhe të njohjes së saj ndërkombëtare. Me këtë rast kryetari Krasniqi i uroi Kroacisë hyrjen në NATO dhe sukses në integrimin e saj evropian.

Zoti Bebiq, shprehu admirimin e tij për të arriturat e Kosovës, duke i uruar asaj përparim ekonomik dhe integrim të shpejtë evropian. Kroacia do të vërë në dispozicion gjithë përvojën e saj integruese dhe do ta ndihmojë Kosovën në këtë proces. Kroacia, tha zoti Bebiq, dëshiron të luajë rolin ndërlidhës midis BE dhe vendeve të Evropës Juglindore.

Të dy kryetarët u pajtuan që të përgatitet një memorandum bashkëpunimi midis dy parlamenteve dhe të formohen grupe parlamentare gjegjëse të miqësisë.

Kryetari Krasniqi e ftoi kryetarin Bebiq për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

Kryetari Krasniqi në këtë vizitë po shoqërohet nga anëtarët e Krysesië së Kuvendit, zotërinjtë Sabri Hamiti, Naim Maloku, Xhezair Murati dhe shefi i kabinetit, zoti Mehmet Hajrizi e këshilltari për marrëdhënie me jashtë, zoti Skënder Recica.
Vizita e kryetarit të Kuvendit dr. Jakup Krasniqi në Kroaci