Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës u takua me presidentin e Kroacisë, z. Stjepan Mesiq

, 30.04.2009




Delegacioni parlamentar i Kosovës, në krye me kryetarin Jakup Krasniqi gjatë vizitës në Republikën e Kroacisë, mbrëmë u prit nga presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, zoti Jakup Krasniqi, i cili po e kryeson delegacionin, pasi e falënderoi presidentin për pritjen e ngrohtë e miqësore që iu rezervua në Kroaci, i përcolli atij përshëndetjet e presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi. Konstatoj me kënaqësi, tha ai që marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë janë shumë të mira dhe për më shumë që të dy palët jemi dakord që t'i thellojmë e zgjerojmë akoma më shumë dhe në të gjitha fushat. Ne jemi shumë mirënjohës për kontributin e madh që ka dhënë Kroacia dhe personalisht presidenti Mesiq për pavarësinë e Kosovës dhe për njohjen e saj ndërkombëtare. Tashti si dy vende të pavarura e mike, me një të kaluar të përbashkët, por edhe me të ardhme të përbashkët në BE, jemi të interesuar t'i intensifikojmë marrëdhëniet tona, jo vetëm në politikë, por edhe në arsim, kulturë, shëndetësi, ekonomi etj. Në vijim zoti Krasniqi e njoftoi mikpritësin për të arriturat e Kosovës gjatë vitit të parë të pavarësisë, si në plan të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Presidenti Mesiq shprehu kënaqësinë e tij të veçantë që kishte rastin të priste delegacionin e nivelit të lartë nga Kosova. Themelore në marrëdhëniet tona është që Kroacia e ka njohur Republikën e Kosovës. Kosova ka qenë element konstituiv i Federatës jugosllave, e cila nuk ekziston më. Ne mendojmë, tha ai, që marrëdhëniet tona ekonomike duhet të zgjerohen, prandaj do të kemi kontakte të vazhdueshme dhe do të organizojmë edhe vizita të tjera, në funksion të përparimit të tyre, theksoi z. Mesiq. Takimi kaloi në frymë miqësie dhe bashkëpunimi.

Kryetari i Saborit të Republikës së Kroacisë, zoti Luka Bebiq shtroi darkë solemne për kryetarin Krasniqi dhe delegacionin që ai kryeson. Në delegacion bëjnë pjesë anëtarët e Kryesisë, zoti Sabri Hamiti, zoti Naim Maloku, zoti Xhezair Murati dhe shefi i kabinetit, zoti Mehmet Hajrizi e këshilltari për marrëdhënie me jashtë, zoti Skënder Reçica.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës u takua me presidentin e Kroacisë, z. Stjepan Mesiq