Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 30.04.2009




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga, Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë, deputetët kanë emëruar anëtarët e Bordit të Trustit Pensional të Kosovës, konform Rekomandimit të Komisionit përzgjedhës, të cilin e kishte mbështetur edhe Qeveria e Kosovës. Anëtarë të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës, janë emëruar: Besim Beqaj, kryesues, si dhe anëtarët e Bordit: Ruzhdi Morina, Ymer Havolli, Angela Burns, Stiv Bates dhe Hervey Richard Kember.

Deputetët, ndërkaq, me shumicë votash e kanë emëruar z. Mejdi Bektashi anëtar joekzekutiv të Bordit Drejtues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Pasi seanca e sotme e ka miratuar Projektligjin për zonat ekonomike, bashkë me amendamentet e komisioneve funksionale, deputetët kanë debatuar gjatë për Raportin e punës së RTK-së për vitin 2007 dhe Raportin të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për të hyrat dhe shpenzimet e RTK-së për vitin 2007. Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Gani Koci, por edhe shumica e folësve në këtë pikë kanë konstatuar parregullsi të shumta në menaxhimin e Radiotelevizionit të vetëm publik të Kosovës, si dhe politikë redaktuese të anshme. Ka pasur madje propozime që të krijohet një komision parlamentar për hetimin e menaxhmentit të RTK-së.

Në seancën e sotme kryeministri Thaçi, zv.kryeministrat: Manaj dhe Kuçi dhe ministrat e kabinetit qeveritar u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Me propozim të deputetit Hydajet Hyseni është hequr nga rendi i ditës zgjedhja e anëtarit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, me arsyetimin se janë paraqitur pak kandidatë dhe se duhet përsëritur konkursin për anëtar të KPShCK-së.

Me propozim të Grupit Parlamentar të PDK-së është shtyrë për një seancë tjetër formimi i Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, kurse me kërkesën e Grupit Parlamentar “Zajedno”, ndërkaq, është hequr nga rendi i ditës edhe shqyrtimi i Raportit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2008, me arsyetimin se, për këtë pikë, deputetët serbë nuk e kanë marrë materialin në gjuhën e tyre amtare.
Nga punimet e seancës plenare