Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi uron homologun e sapozgjedhur turk, Sahin
, 07.08.2009
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka uruar sot kryetarin e sapozgjedhur të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Mehmet Ali Sahin.
Në telegram thuhet:
I nderuar zoti Sahin
Me rastin e zgjedhjes Tuaj Kryetar i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, ju uroj sukses në përmbushjen e përgjegjësive të mëdha në krye të këtij institucioni të lartë shtetëror.
Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe parlamenteve tona, shpreh bindjen që ato do të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi.
Kam pasur kënaqësinë ta vizitoj Republikën e Turqisë dhe Asamblenë e saj të Madhe në fillim të këtij viti, si dhe të pres në Prishtinë delegacionin parlamentar turk, të kryesuar nga kryetari Toptan, me të cilat ne i kemi afruar më shumë dy vendet tona dhe i kemi përparuar marrëdhëniet ndërparlamentare.
Mezi pres të takohem edhe me Ju zoti kryetar, për të biseduar shumë çështje të interesit të përbashkët të dy vendeve tona.
Me respekt
Jakup Krasniqi