Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi dhe ambasadori gjerman Steinbach nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në mes dy parlamenteve

, 10.09.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe ambasadori gjerman në Prishtinë, z.Hans-Dieter Steinbach , nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Bundestagut të Gjermanisë, me të cilën Kuvendit të Kosovës i akordohet një ndihmë ekonomike në vlerë afro 18 mijë euro. Gjatë nënshkrimit kryeparlamentari Krasniqi shoqërohej nga anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi,ndërsa ambasadorin gjerman e shoqëronte znj. Sabine Hegholz nga Departamenti për çështje ekonomike .

Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu edhe një takim ndërmjet kryeparlamentarit Krasniqi dhe ambasadorit Steinbach.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në një prononcim për media , kryeparlamentari Krasniqi theksoi se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është mbështetja e Kuvendit të Kosovës. Ne zotohemi,tha kryeparlametari Krasniqi,se do të mundohemi t’ i përmbushim obligimet nga kjo marrëveshje për t’ i përdorur këto mjete në mënyrën më të mirë të mundshme në të mirë të Kuvendit. Duke falënderuar Bundestagun Gjerman për ndihmën në kontinuitet që i ka dhënë dhe po i jep Kuvendit të Kosovës, ai theksoi se Bundestagu Gjerman, si dhe parlamentet e Francës, Belgjikës dhe Sllovenisë i kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm zhvillimeve të Kuvendit të Kosovës në kuadër të konzorciumit. Kuvendi i Kosovës, tha z. Krasniqi, tashmë ka arritur memorandum bashkëpunimi me Parlamentin e Belgjikës dhe atë të Sllovenisë, ndërsa presim të nënshkruajmë memorandume edhe me Bundestagun e ri , si dhe me Parlamentin Nacional të Francës. Në këtë frymë Kosova po gëzon përkrahje nga këto dhe shtetet tjera të BE-së, si në aspektin e ndërtimit të kapaciteteve profesionale , ashtu edhe në punën e komisioneve, duke ofruar edhe ekspertë të lëmenjve përkatës. “Mbështetja që na jepet nga shtetet perëndimore do të kontribuojë për anëtarësimin e Kosovës në BE, ndaj edhe do të jemi në këtë bashkësi”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Bashkëpunimi ndërmjet Bundestagut Gjerman dhe Kuvendit të Kosovës,theksoi z.Hans-Dieter Steinbach,është shumë i dobishëm, pasi ekspertët po kontribuojnë në institucionin më të rëndësishëm të vendit .Ky fakt gëzon nisur edhe nga synimi që ky bashkëpunim të thellohet edhe më, madje edhe me shtet tjera .

Në vijim, z. Steinbach, foli për jehonën që pati në opinion tema e sovranitetit të Kosovës, duke iu referuar marrëveshjes teknike që parashihet të nënshkruhet ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë. Mendimi i Qeverisë së Gjermanisë, tha z. Steinbach, është se kjo marrëveshje nuk do ta dëmtojë sovranitetin e Kosovës. Qeveria e Gjermanisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës ndër të parat shtete , ndaj ajo nuk do të mbështesë veprime që dëmtojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës . Në këtë vështrim , ai shfaqi shpresën se për këtë çështje do të gjendet zgjidhje.

Përkitazi me këtë çështje, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se e ka bindjen e plotë se Kosova pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga ana e 63 shteteve nuk mund të vihet në pyetje sovraniteti i saj. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i garantuar, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Kryeparlamentari  Krasniqi dhe ambasadori gjerman Steinbach nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në mes dy parlamenteve