Lajmet e fundit

Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës

, 06.10.2009




Kuvendi i Republikës së Kosovës , i kryesuar nga Jakup Krasniqi, mbajti sot një seancë solemne për nder të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, i cili gjendet në vizitë në Kosovë. Duke hapur këtë mbledhje, në të cilën merrnin pjesë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, shefi i ICO-së, Pieter Feith, shefi EULEX-it, Iv de Kermabo, si dhe anëtarë të korit diplomatik të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës ka nderin që të ketë mysafir kryeministri Berisha, ndaj edhe në emër të tij dhe të deputetëve i shprehu atij përshëndetjet më të ngrohta.Vizitën e kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi e quajti eveniment për Kosovën, por edhe rast të mirë për t’u informuar drejtpërdrejt me ndryshimet e mëdha pozitive që vendi ynë ka bërë gjatë kësaj kohe të shkurtër pas shpalljes së pavarësisë.

Pavarësinë e Kosovës, theksoi kryeparlamentari Krasniqi, tashmë e kanë njohur 62 shtete, duke u mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, Kosova pret njohje të reja dhe hyrjen e Kosovës në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara. Në partneritet ndërkombëtar, Kosova po ndërton shtetin e ri me një rend kushtetues të demokracisë moderne, me një shoqëri të lirë e sovrane dhe në barazi të plotë për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim. Kosova është kthyer në një faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Pavarësia e Kosovës ishte kurorëzim i përpjekjeve të gjata dhe të dhembshme të popullit të saj, por edhe i një solidariteti të gjerë ndërkombëtar me të drejtën e tij legjitime, për të qenë i lirë dhe sovran i fatit të vet. Në vijim kreu i legjislativit të vendit i shprehu mirënjohje Shqipërisë , si mbështetëse të Kosovës në luftën e saj të gjatë për liri dhe pavarësi, e cila në momente të caktuara historike, veçanërisht të rënda, kishte rolin përcaktues të ruajtjes së identitetit, por edhe të ekzistencës fizike të shqiptarëve jashtë kufijve të saj.

“Epoka në të cilën kemi hyrë, u ka hapur rrugë dhe perspektivë të shkëlqyer marrëdhënieve midis Shqipërisë e Kosovës, si dhe integrimeve rajonale e euroatlantike të tyre, sidomos me ndërtimin e rrugës së re që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilën keni meritë të veçantë, përbën jo vetëm një kusht shumë të rëndësishëm të lëvizjes së lirë të mallrave e qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik të të dy vendeve tona, por edhe një arterie të ardhshme ndërkombëtare që do t’i kontribuojë marrëdhënieve rajonale”, theksoi kreu i legjislativit të vendit.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e quajti nder të madh faktin që iu ka dhënë rasti për t’ iu drejtuar Kuvendit të e Republikës së Kosovës. “Unë e përjetoj këtë moment, si një nga ngjarjet më të shënuara të jetës sime. Kjo sepse, ju burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, me sakrificat dhe përpjekjet tuaja mbinjerëzore shndërruat në realitet ëndrrën më të lashtë, më fisnike, më të bukur, më sublime të njeriut të qytetëruar, ëndrrën e lirisë, kurse ata që dikur me zinxhirët e tankeve u vërsulën mbi parlamentin tuaj përfunduan në galerat e historisë”.

Kosova, theksoi në vijim Berisha, në 130 vjetet e fundit ka qenë gjithnjë djep i lëvizjeve të mëdha kombëtare emancipuese të kombit shqiptar, i Lidhjes së Prizrenit dhe kryengritjeve të mëdha që sollën Pavarësinë e Shqipërisë. Por, Kosova e lirë dhe e pavarur, është faqja më e ndritur në historinë e kombit, është kryevepra e tij politike më madhështore që nga koha e Skënderbeut e gjer ne ditët e sotme. Ata që u flijuan për atdhe që nga viti 1878 e gjer në fundin e shekullit që shkoi, fituan pavdekësinë, duke bërë që drita e lirisë dhe flakët e saj të mos shuhen kurrë, në mënyrë që kombi shqiptar në tërësi, të jetë i lirë dhe të fitojë dinjitetin që meriton.

Duke folur për kontribtin e presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kryeministri Berisha tha:”Nderim të veçantë shpreh për burrin e madh të Kosovës dhe kombit shqiptar, arkitektin e pavarësisë së Kosovës, presidentin Ibrahim Rrugova që me përfaqësimin e civilizuar, guximin, urtësinë dhe mençurinë e tij bëri që Kosovën ta donin edhe ata që s’e deshnin, ta njihnin edhe ata që nuk e kishin njohur. Ky burrë vigan i kombit tonë, ndërtoi në kushtet e okupacionit të egër në Kosovë pushtetin paralel dhe çështjen e drejtë të shqiptarëve të Kosovës e ngriti nga një barrakë e vogël në qendër të Prishtinës, deri në zyrën ovale të Presidentit të SHBA dhe Kancelaritë e mëdha të Evropës, si dhe udhëhoqi me guxim dhe sukses Kosovën gjer në prag-shpalljen e pavarësisë së saj”. Z. Berisha pastaj tha se përulet me nderimin të madh për komandantin legjendar, tribunin e lirisë, Adem Jashari, që me sakrificën e tij të madhe ndezi dritën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe para të gjithë luftëtarëve të lirisë, djemve dhe vajzave të Kosovës që luftuan në fundin e viteve ’90 në fushat, malet, kodrat, fshatrat dhe qytete e këtij vendi, dhe fituan luftën e fundit çlirimtare në Evropë, duke vendosur sakrificën e tyre sublime në themelet e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Ata mbrojtën nderin dhe dinjitetin kombëtar të çdo shqiptari, ndaj kombi do t’ju jetë mirënjohës për jetë.

Pas rënies së Murit të Berlinit, theksoi z. Berisha , shpallja e pavarësisë së Kosovës, është ngjarja më e madhe në historinë e lirisë, jo vetëm të kombit shqiptar dhe rajonit, por dhe të mbarë Evropës, pas Luftës së Dytë Botërore. Kosova u bë e lirë dhe e pavarur, sepse udhëheqja dhe qytetarët e Kosovës, me qëndresën, sakrificën dhe luftën e tyre, ia dolën të fitojnë mendjen dhe zemrën e qytetarëve, ligjvënësve dhe presidenteve të SHBA-së, qeverive dhe qytetarëve të vendeve të mëdha të Evropës, e shteteve të tjera nga bota, duke kujtuar se asnjë komb tjetër në Evropë nuk ka pasur të shkuar më të vështirë, më dramatike dhe të dhimbshme, se sa kombi shqiptar. Shqiptarët tashmë kanë hyrë në rrugën e ndërtimit të së ardhmes që e meritojnë. Ata janë të përkushtuar, të vendosur që sakrificat, përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për liri dhe dinjitet, ndihmën dhe solidaritetin e madh të miqve të tyre, t’i shndërrojnë në energji të pashtershme dhe përkushtim për paqen dhe stabilitetin, për ndërtimin e të ardhmes së tyre evropiane. Duke shprehur disa vizione për të ardhmen e shqiptarëve , kryeministri i Shqipërisë theksoi se interesi jetik kombëtar për çdo shqiptar kudo që jeton, është mos ndryshimi dhe respektimi i kufijve aktual ndërkombëtar të rajonit dhe konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të saj dhe të ndërtimit të demokracisë së bazuar në vlerat e tregut, integrimi i Shqipërisë në BE dhe perspektiva e sigurt dhe integrimi euroatlantik dhe evropian i Republikës së Kosovës, pra është bashkimi në Evropën e bashkuar. Këto janë dhe interesat më të mëdha dhe jetike kombëtare të shqiptarëve, prandaj edhe për Shqipërinë, për Kosovën, integrimi evropian dhe euroatlantik janë dhe do të mbeten ylli polar, qe ndriçon rrugën e së ardhmes sonë.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës po zhvillohen dhe intensifikohen çdo ditë në interesin më të mirë të qytetarëve tanë.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vende vëllezër. Ata janë dy vende të ndryshme, por jo, kurrë të huaja për njëra-tjetrën . Ato me një bashkëpunim të gjithanshëm, partneritet vëllazëror, duhet të kapërcejnë pasojat e ndarjes shekullore, bazuar në proceset dhe standardet më të mira të integrimit Evropian. Një theks të veçantë kryeministri Berisha i kushtoi edhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në ndërtimin e infrastrukturës ndërmjet dy shteteve , që kanë një ndikim të madh në zhvillimin e bashkëpunimit edhe më gjerë në Rajon.

Duke iu referuar të arriturave të 20 muajve të pavarësisë së Kosovës, z. Berisha tha se kjo periudhë ka qenë kohë historike suksesesh të mëdha për udhëheqjen politike, institucionet dhe për popullin e Kosovës. Kosova ka miq te mëdhenjë e të çmuar më shume se kurrë në historinë e saj, ka mbështetjen e fuqishme të vendit të madh të lirisë, SHBA, vendeve te mëdha te Evropës, vendeve tjera mike në të katër anët e globit, nga Australia në Japoni, nga Arabia Saudite në Kanada. Duke folur për proceset aktuale në Kosovë, ai tha se tensionet ndëretnike në Kosovë janë gjithnjë në rënie dhe më të ulta se kurrë më parë , shoqëria plurifetare dhe multietnike e Kosovës po konsolidon traditën e shkëlqyer shqiptare të harmonisë dhe bashkëjetesës ndëretnike dhe tolerancës së shkëlqyer fetare. Sot largimet nga Kosova, për motive ndëretnike, po zëvendësohen me kthimin e të shpërngulurve në shtëpitë e tyre. Po kështu arritjet në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit përbëjnë një sukses i rëndësishëm i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.

Z. Berisha shprehu i mirënjohjen e thellë KFOR-it dhe EULEX-it, SHBA-ve dhe vendeve anëtare te NATO-s, vendeve anëtare të BE-së dhe Komisionit Europian, për kontributin e tyre madhor që japin për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, që rrezaton pozitivisht në mbarë rajonin tonë. Në shenjë mirënjohje për kontributin e veçantë që ka dhënë dhe po jep Shqipëria për Kosovën, e sidomos kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, Berisha,presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e dekoroi kryeministrin Sali Berisha me “Medaljen e artë të lirisë.
Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës