Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin e ri francez në Prishtinë, z. François-Xavier Deniau

, 15.10.2009




Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ambasadorin e ri francez në Prishtinë, z. François-Xavier Deniau. Kryeparlamentari Krasniqi pasi i uroi mirëseardhje dhe e përgëzoi për detyrën e re, shprehu mirënjohje për kontributin e Francës dhënë Kosovës. “Të gjitha të arriturat në Kosovë janë fryt edhe i mbështetjes së vazhdueshme të Francës. Franca gjithnjë ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë Kosovën. Kjo ndihmë sëndertohet edhe në kuadër të KFOR-it dhe të EULEX-it, ku marrin pjesë edhe pjesëtarë nga shteti frëng”, theksoi kryeparlametari Krasniqi. Një kontribut të rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar, Franca ka dhënë edhe në kuadër të Konzorciumit të katër shteteve perëndimore, i cili ka mbështetur disa vjet Parlamentin e Kosovës. Në Parlamentin e Kosovës tashmë është formuar Grupi i Miqësisë në mes Kosovës dhe Francës. Synohet që ndërmjet Parlamentit të Kosovës dhe të Francës të vendosen marrëdhënie bilaterale, ashtu siç është vepruar edhe me shtete të tjera.

Pasi u falënderua për pritjen, ambasadori francez, François-Xavier Deniau tha se ai në pozitën e ambasadorit do të jetë për një kohë të caktuar , pasi ambasadorja e deritashme ka shkuar në një detyrë të re. Ndërkaq, ambasadori i ri do të emërohet në fillim të vitit të ardhshëm. Përkitazi me proceset aktuale në Kosovë, ambasadori francez, François-Xavier Deniau, theksoi se jetësimi i Pakos së Ahtisaarit është me rëndësi të veçantë, sidomos kur është fjala për procesin e decentralizimit. Ndërkaq, lidhur me me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ai theksoi se ky Raport tregon se në Kosovë ka ende shumë punë për t’ u bërë, ndërsa Franca dhe shtetet tjera të Bashkimit Evropian janë të interesuara që në Kosovë të sundojë ligji. Z. François-Xavier Deniau shprehu besimin se Kosova do të pranojë vërejtjet e dhëna në këtë Raport, ashtu siç i kanë pranuar edhe shtetet tjera të rajonit.
Kryeparlamentari Krasniqi  priti ambasadorin e ri  francez në Prishtinë, z. François-Xavier Deniau