Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit të Kosovës

, 23.11.2009




Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, pikë të vetme të rëndit të ditës kishte Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010. Para deputetëve këtë projektligj e prezantoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili theksoi se ky Projektligj është përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave në bashkëpunim me ministritë tjera , si dhe me agjenci tjera relevante. Në këtë kohë, kur bota po ballafaqohet me efektet e krizës ekonomike globale, pritet që ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2010 të shënojë rritje rreth 5%, që padyshim paraqet një sukses të konsiderueshëm. Mbi bazën e këtyre vlerësimeve është ndërtuar edhe ky projektbuxhet, i cili duhet konsideruar si një arritje e re në mesin e sukseseve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Buxheti i paraparë për vitin 2010 do të jetë 1,461 milion euro që përfshin të gjitha ndarjet buxhetore, me një rritje prej rreth 6% krahasuar me buxhetin e vitit 2009.

Gjithashtu edhe servisimi i borxhit të jashtëm është pjesë e ndarjeve buxhetore për vitin e ardhshëm. Kjo rritje e shpenzimeve buxhetore është mundësuar përmes dy faktorëve: parashikimit për rritjen e të hyrave buxhetore, si dhe shfrytëzimin e bilancit të akumuluar bankar nga vitet e kaluara. Për dallim nga viti 2009, kur pati një rritje në nivelin e të ardhurave nga grumbullimi i të hyrave të njëhershme, rritja e të hyrave buxhetore për vitin 2010 vjen si rezultat i zgjerimit të bazës tatimore, dhe paraqet ngritje në trendin e të hyrave.

Duke folur për mbështetjen që do të kenë disa segmente të shoqërisë sonë , z. Hashim Thaçi tha se në sektorin e shëndetësisë, janë rritur fondet për sigurim të barnave esenciale, si dhe ai për trajtim të pacientëve jashtë vendit. Po ashtu, është planifikuar kompensim shtesë për personelin mjekësorë për punën jashtë orarit, si dhe rritje e përkrahjes financiare për kategoritë e dala nga lufta, në veçanti për invalidët e luftës. Në vijim ai foli edhe për fondet e nevojshme për zbatimin e platformës së re të gradimit konform ligjit mbi policinë, për punonjësit në shërbimin e zjarrfikësve etj. Janë ofruar dispozita financiare dhe buxhetore për themelimin e Universitetit të Prizrenit - universitetit të dytë publik në Republikën e Kosovës. Në të njëjtën kohë është rritur mbështetja maksimale për Universitetin e Prishtinës.

Rritje të mëtejshme janë bërë edhe në shumë projekte tjera të cilat janë paraqitur në tabelat e Projektligjit. Ndërkaq, duke folur për projektet në infrastrukturë, z. Thaçi përmendi fillimin e autostradës Vermicë-Morinë-Prizren drejtimi i Prishtinës, ndërtimin e shkollave të reja, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të komunave përmes granteve qeveritare.

Qeveria e Kosovës gjithashtu vazhdon të ndërtojë dhe plotësojë institucionet e një shteti sovran. Në këtë drejtim është paraparë financimi i blerjes së ambasadave të reja, funksionalizimi i Agjencionit Kosovar të Inteligjencës, Gjykatës kushtetuese të Kosovës, si dhe shumë institucione tjera.

Në përgatitjen e këtij projekt buxheti Kosova gëzon edhe mbështetjen e plotë edhe të partnerëve ndërkombëtarë, siç janë FMN-ja, Banka Botërore, si dhe Komisioni Evropian.

Me aprovimin e këtij buxheti dëshmohet se veprimet Qeverisë së Kosovës janë në pajtueshmëri me planet strategjike të paraqitura me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

“Ky buxhet është i të gjithëve dhe në shërbim të të gjithëve. Ky buxhet është buxhet i zhvillimit ekonomik, gjenerimit të vendeve të reja të punës, i reformave demokratike dhe perspektivës evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.

Duke elaboruar më hollësisht buxhetin e vitit 2010, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2010 janë parashikuar të jenë në vlerë prej 1,029 miliard euro, apo 7,5 për qind më të larta sesa të hyrat e rregullta për vitin 2009. Performanca e të hyrave gjatë këtij viti ka qenë mjaft e kënaqshme , gjë që ka krijuar një bazë solide mbi të cilën janë bërë parashikimet për vitin e ardhshëm. Vlerësimet nga institucionet relevante ndërkombëtare flasin për fillimin e tejkalimit të kësaj krize dhe fillimit të rimëkëmbjes. Në vijim z. Shala tha se ekziston përkushtimi për ruajtjen e rezervës fiskale prej 200 milionë eurosh, rezervë kjo si masë mbrojtëse ndaj efekteve të krizave eventuale me të cilat mund të përballet ekonomia e Kosovës. Buxheti si tërësi ofron shumën e përgjithshme të shpenzimeve publike prej 1,461 miliardë euro, që shënon rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me vitin 2009. Ky buxhet siguron stimulim fiskal që Kosova të ketë një rritje të projektuar ekonomike prej mbi 4 për qind gjatë vitit 2010, me të cilën rritje është pajtuar edhe FMN-ja.

Rreth 35 për qind e shpenzimeve primare e këtij buxheti, ose 400 milionë euro, janë dedikuar për shpenzime kapitale, duke mbuluar nevojat kryesore të vendit, që është shtytje e vazhdueshme për rritje ekonomike në vend, krijimin e vendeve të reja të punës dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e sektorit privat. Në vazhdim Ahmet Shala foli veç e veç për lëmenjtë ekonomikë e shoqërorë në të cilët do të investohen këto mjete,si:transporti,energjia,arsimi, shëndetësia,mirëqenia sociale, sektori i sigurisë, i drejtësisë, bujqësia, Ministria e Punëve të Jashtme,Ministria për Tregti dhe Industri, Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe buxheti i komunave. Aprovimi i këtij buxheti , theksoi në vijim Ahmet Shala hap dyert drejt përfitimit të mbi 210 milionë eurove nga FMN, Banka Botërore dhe institucionet tjera ndërkombëtare.

Në debatin e gjerë që pasoi pas prezantimit të Projektbuxhetit, ai u përkrah, por kishte edhe mjaft vërejtje. U tha se ana tekstuale e Projektligjit mund të përkrahet, por jo edhe tabelat, që e shoqërojnë atë, sepse nga ato shihet se disa shifra bien në kundërshtim ndërmjet vete, pra ka mospërputhje. Ndër vërejtjet e tjera ishte se buxheti nuk është i ndarë sipas prioriteteve , nuk është marrë para sysh Raporti i Progresit, përkatësisht nuk ka vlerësim për koston e agjendes evropiane të Kosovës. Në ecuritë ekonomike u tha se po ndikon negativisht rritja e ekonomisë informale, projektet barten nga viti në vit, ka dështime në keqmenaxhim etj.

Deputetë të opozitës, por edhe disa deputetë nga radhët e grupit parlamentar të LDK-së, ngritën edhe problemin e kritereve të ndarjes së mjeteve sipas komunave. Ata angazhoheshin për një ndarje të buxhetit sipas komunave në mënyrë më të drejtpeshuar. Në këtë vështrim u zunë në gojë disa komuna, ku sipas tyre nuk është duke u investuar sipas kritereve. Në këtë vështrim u tha se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë parasysh disa projekte të Prishtinës . Është shtyrë edhe Projektligji për Prishtinën, i cili po të ishte aprovuar do të siguroheshin 8 milionë euro grante.

Duke iu drejtuar deputetëve , kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, tha disa fjalë lidhur me çështjen e ngritur nga deputetet për ndarjen e mjeteve sipas komunave. Pasi tha se Projektligji është hartuar mjaft mirë, i mbështetur në një përvojë dhjetëvjeçare të hartimit të projektligjeve në Kosovë, ai theksoi se nuk mund të flitet për ndarje jo proporcionale të mjeteve sipas komunave. Duke iu referuar thënies së Kosova po zvogëlohet në territor të ngushtë sa i përket investimeve , ai shtroi pyetjen kush kujt po ia drejton këtë frazë. Askush nuk mund të thotë se Prishtina është vetëm imja, ajo është e të gjithëve. Prishtina është pasqyrë e zhvillimit të Kosovës, ndaj nuk duhet të qahemi kot për mënyrën e ndarjes buxhetore sipas komunave. Për ndarjen e mjeteve ekzistojnë kriteret , kriter është edhe e kaluara, dikush është shkelur për 100 vjet, e dikush megjithatë ka pasur do rrethana të tjera, tha kryeparlamentari Krasniqi. Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2010.
Seanca e Kuvendit të Kosovës