Lajmet e fundit

Dëgjim publik në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media

, 25.11.2009




Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i komisionit, mbajti sot një dëgjim publik përkitazi me Projektligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, në të cilin pos anëtarëve të Komisionit merrnin pjesë edhe mjaft përfaqësues të subjekteve të ndryshme vendëse e ndërkombëtare. Duke hapur këtë debat, Melihate Tërmkolli theksoi se me këtë Projektligj, i cili tashmë ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, synojmë të bëjmë një ligj sistemor bazik. Si në fjalën e Tërmkollit, ashtu edhe të diskutuesve të tjerë, u tha se një ndër qëllimet parësore gjatë diskutimit dhe amendamentimit të këti Projektligji duhet të jetë definimi sa më i saktë i statusit të shërbimit civil, përkatësisht shërbyesit civil, parakusht ky i rëndësishëm në funksion të reformimit të administratës publike dhe ngritjes së cilësisë së këtij shërbimi. Duke përshkruar rrugën e hartimit të këtij Projektligji, në emër të Zyrës Ligjore të Kryeministrisë, Besim Kajtazi tha se hartimit të këtij Projektligji i ka paraprirë një periudhë e gjatë e konsultimit të shumë faktorëve gjer në finalizimin e këtij projekti. Tërë ky proces, tha ai, ishte mjaft i hapur, duke pasur për bazë edhe strategjinë e administratës publike, si dhe përvojat e shteteve perëndimore. Gjatë hartimit të këtij Projektligji iu ka kushtuar kujdes edhe çështjes buxhetore, pra është synuar që krahas synimit për një administratë sa më efikase, të shpenzohen sa më pak mjete buxhetore. Në kuadër të vërejtjeve e plotësimeve që u dhanë gjatë debatit mjaft të gjerë, pos tjerash u tha se është e nevojshme të trajtohet më mirë çështja e Komisionit për Emërime të Larta, se dhe çështja e kalimit të punëtorëve nga kontrata me kohë të caktuar në kohë të përhershme, për të mos lënë hapësirë për voluntarizë politik.
Dëgjim publik në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media