Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media

, 25.11.2009




Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Esat Brajshori, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar Propozimin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për Nenin 20.1 të Ligjit për RTK-në, lidhur me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për masën e përkohshme për parapagimin e RTK-së.

Në propozimin e Bordit të RTK-së dhe KPM-ja për riformulim të nenit 20, paragrafi 1, parashihet që inkasimi i të hyrave të RTK-së të bëhet nëpërmjet KEK-ut.

Anëtarë të Komisionit kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth zvarritjes së çështjes së financimit të RTK-së. Ata kanë vlerësuar se Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj ka kontestuar metodologjinë e inkasimit të të hyrave në RTK, dhe me lartësinë e taksës prej 3.5 euro.

Gjatë diskutimeve, janë dhënë ide të ndryshme rreth mënyrës së financimit të RTK-së. Kishte mendime se KEK-u është në gjendje të rëndë, dhe çdo obligim shtesë ndaj tij, do ta rëndonte gjendjen në këtë korporatë. Ndërsa, kishte vlerësime të tjera se nga kontrata me RTK-në, përfitues ka qenë edhe KEK-u. Idetë për mënyrën e financimit të RTK-së kanë përfshirë disa alternativa: financimin e drejtpërdrejtë nga qytetarët, krijimin e një linje të veçantë buxhetore nga buxheti i Kosovës, dhe kombinimin e tyre.

Në fund, Komisioni i ka rekomanduar Kuvendit që: 1. Të marrë vendim për financim të përkohshëm të RTK-së, për një periudhë gjashtëmujore; 2. Komisioni, brenda periudhës së paraparë ligjore, ta amandamentojë ligjin në të cilin do të përcaktohej financimi afatgjatë i RTK-së. 3. RTK-ja obligohet që të sjell planin financiar për pagesën gjashtëmujore.
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media