Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...

, 01.12.2009




Sot në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Myzejene Selmani, kryetare, u shqyrtua Raporti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për periudhën gusht 2008- gusht 2009.

Në takim ishte i pranishëm edhe zv.drejtori i AKP-së, Shkumbin Bicaj, i cili raportoi rreth punës së kësaj agjencie, të arriturat dhe sfidat e saj.

Ndonëse Raporti i punës, Komisionit i ishte ofruar në formë të shkruar, Bicaj, para anëtarëve të Komisionit, shpalosi objektivat dhe sfidat e AKP-së që e presin në vitin 2009. “Pretendimet tona janë që AKP të zhvillohet si Agjencion që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit. Problem kyç i Agjencisë ka qenë dhe vazhdon të jetë mosnjohja e subjektivitetit të AKP-së nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, dhe nga ana tjetër Agjencia Kosovare e Mirëbesimit vazhdon të njihet si palë ndërgjyqësore”, theksoi zv.drejtori i AKP-së. Ai tha se Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, duke mos njohur legjitimitetin e AKP-së si palë ndërgjyqësore, krijon vështirësi shumë të mëdha në kryerjen e procedurave gjyqësore të iniciuara në këtë Odë, dhe që janë të ndërlidhura drejtpërsëdrejti me AKP-në dhe procesin e privatizimit. Sipas tij, duhet të eliminohen pengesat ligjore që gjigantët ekonomikë, si “Trepça”, të privatizohen sa më shpejtë që është e mundur, dhe nga një përfitues i Buxhetit, të kthehet në kontribuues të tij.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan se raporti është gjithëpërfshirës dhe me saktësi të qartë për punën e këtij Agjencioni.
Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...