Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

, 15.12.2009




Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike, në mbledhjen e sotme, ka dalë më propozime shtesë rreth Draftit të Mandatit të Komisionit.

Edhe pse, rregullorja e punës së Komisionit ka qenë pikë e rendit të ditës në mbledhjet e kaluara dhe mbeti pa u aprovuar, gjatë mbledhje së sotme anëtarët e Komisionit kanë shprehur vërejtjet e tyre rreth këtij drafti të ri.

Anëtarët e Komisionit, nuk u dakorduan rreth përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, duke kërkuar që përbërja e anëtarëve të këtij komisioni të mos jetë e njëjtë me anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Disa nga anëtarët e Komisionit, përbërjen e njëjtë të këtij Komisioni me atë të Komisionit për Buxhet dhe Financa e quajtën konflikt interesi.

Deputetët e opozitës, anëtarë të Komisionit, kërkuan që të ndryshohet struktura e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, ndërsa anëtarët e Komisionit, nga radhët e pozitës nuk u dakorduan me vendimin. Anëtarët e Komisionit po ashtu vlerësuan se struktura e anëtarëve të Komisionit duhet të jetë: 5 deputetë opozitar, ndërsa katër prej tyre të pozitës.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Haki Shatri, i cili njëherazi është edhe anëtar në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, tha se është i gatshëm që ta japë dorëheqje në njërin nga komisionet. Gatishmëri të tillë shprehën edhe një pjesë e madhe e anëtarëve. Megjithatë, për këtë do të vendosë Kryesia e Kuvendit siç do të vendosë edhe rreth propozimeve shtesë, rekomandimeve dhe korrigjimeve të rregullores së punës së Komisionit, gjë e cila ishte temë diskutimi e mbledhjes së sotme.

Meqë si detyrë plotësuese e punës së Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike janë raportet vjetore të dala nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, gjatë takimit të sotëm, para Komisionit ka raportuar Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, rreth funksionimit të këtij insitucioni publik.


Auditori i Përgjithshëm, ka mandat të auditojë të gjitha organizatat buxhetore edhe entitetet tjera në Kosovë, të cilat janë më shumë se 50 për qind në pronësi publike, ose që marrin mjete financiare nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, sqaron z. Olofsson.

ZAP ende nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për të kryer funskionet dhe detyrat e saj të parashtruara me ligj. Kapacitetet funksionale të saj, sipas ZAP nuk janë në nivel. Kjo, për arsye se buxheti i ZAP për vitin 2009 është më i vogël se sa në vitin 2008, përafërsisht njëqind mijë euro. Sipas Auditorit të Përgjithshëm, kjo rritje e buxhetit do të plotësonte nevojat e ZAP, për të kryer detyrat e parapara me ligj. Po ashtu, gjatë këtij takimi Olofsson ka vënë në pah edhe stafin profesional të ZAP, sipas së cilit është i pamjaftueshëm numri i auditorëve. Ai, ka sqaruar se në vitin 2008 ZAP ka pasur në dispozicion 80 punëtorë, ndërsa, në vitin 2009 numri i stafit të ZAP-it është rritur në 90, kurse me rishikim të buxhetit të Kosovës në 106.

Olofsson, konkludoi se buxheti i propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk i mbulon shpenzimet e këtij institucioni publik. Megjithatë, stafi i ri i ZAP pritet të fillojë punën në janar të vitit 2010.

Auditori Gjeneral, shtoi se kompanitë audituese janë duke finalizuar raportet e tyre audituese për komunat e Kosovës. Këto raporte, më pas, do t’i dorëzohen Komisionit për Mbikëqyrje Financiare. Kjo, sipas Olofsson do të ndodhë në janar të vitit 2010.

Ndërkaq, në prill të vitit të ardhshëm, po ashtu Auditori i Përgjithshëm do të nxjerrë raportin vjetor të performancës. Ndërsa, auditimet periodike sipas Olofsson do të finalizohen para afatit të caktuar.

Lars Lage Olofsson, pasi sqaroi se ZAP është duke e kryer misionin e tij me sukses dhe përgjegjësi, ka kërkuar nga Komisioni që të bëjë sa më shpejt edhe përzgjedhjen e auditorit, i cili do të bëjë auditimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Krejtësisht në fund të këtij takimi, anëtarët e Komisionit kanë kritikuar raportet e Auditorit, duke kërkuar që këto raporte të shtjellohen në mënyrë më të qartë, më konkrete dhe më reale. Këto raporte, sipas tyre, janë raporte të padobishme për deputetët.
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike