Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 17.12.2009




Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, kanë shqyrtuar sot kërkesën buxhetore të Ministrisë së Punëve të Jashtme për lejimin e bartjes së mjeteve, në fondin rezervë për blerjen e ambasadave, meqë MPJ-ja, nuk e ka shfrytëzuar buxhetin e këtij viti.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave, ka vendosur që në buxhetin e vitin 2010 të kalojë shuma prej 5 milionë euro, për blerjen e ambasadave, me ç‘rast anëtarë të komisionit u dakorduan me këtë vendim.

Anëtarët e Komisionit bashkërisht me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave duke kritikuar në vazhdimësi kërkesat e të gjitha ministrive që dolën, pas miratimit të buxhetit, përkrahën në parim kërkesën e MTPT-së, për ndryshimin e tabelës 3.1 dhe 3.2.

Në vijim të këtij takimi, anëtarët e komisionit, po ashtu u dakorduan që të plotësohet edhe kërkesa e Këshillit Gjyqësor, që buxheti i Odës së Veçantë (speciale) transferohet nga linja buxhetore e Gjykatës Supreme në linjën buxhetore të Këshillin Gjyqësor në një kod të veçantë. Kryetari i Komisionit, Gani Koci, sqaroi se nga Këshilli Gjyqësor nuk ka pasur kërkesë për mjete shtesë, por vetëm për bartje të buxhetit.

Në mbledhjen e sotme, po ashtu është bërë edhe shqyrtimi i projektligjit (pjesës tekstuale) për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010. Në këtë takim anëtarët e Komisionit kanë bërë disa modifikime në këtë projektligj dhe kanë shtuar disa amendamente, duke e miratuar në parim.

Krejtësisht në fund të këtij takimi, është bërë edhe shqyrtimi i kërkesës buxhetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2010.

Sekretari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi, para anëtarëve të komisionit ka parashtruar kërkesa të reja buxhetore. Pas informatave rreth projekteve kapitale që nuk janë përfshirë në draft buxhetin e vitit 2010 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, anëtarët e komisionit kanë kërkuar që me qëllim të plotësimit të mjeteve për mbulimin e shpenzimeve të projekteve kapitale, shuma e kërkuar për projektin kapital – “Rimobilimi komplet i ndërtesës” (prej 1,000,000 euro) të zvogëlohet në shumën prej 200,000.€, ndërsa shuma e planifikuar për projektin kapital – “Qendra administrativo Protokollare Gërmija” (prej 1,002,000 euro) të zvogëlohet në shumën prej 100,000 mijë euro. Mjete të zbritura nga këto dy projekte do të ridestinohen për mbulimin e shpenzimeve të projekteve tjera kapitale të Kuvendit të Kosovës.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa