Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

, 19.01.2010




Në takimin e sotëm të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, anëtarët e këtij komisionit janë njoftuar lidhur me vizitën studimore që do të bëjnë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Meqë ky udhëtim është mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në Kosovë, ka marrë pjesë në takimin e sotëm, me ç’rast ka informuar anëtarët e Komisionit lidhur me vizitën që ata do t’i bëjnë këtij vendi, më 24-27 janar të këtij viti.

Ambasadori, Andy Sparkes, fillimisht ka shprehur lëvdata për punën e komisionit të sapoformuar falë mbështetjes së KIPRED-it, duke sqaruar më tutje qëllimin e vizitës së anëtarëve në Mbretërinë e Bashkuar. Sparkes theksoi se anëtarët që do të vizitojnë këtë vend, do të marrin përvoja të ndryshme nga homologët e tyre. Madje, ai para anëtarëve të komisionit shpalosi agjendën e kësaj vizite atje. Përveç vizitave të shumta të komisioneve atje, anëtarët e komisionit do të jenë të pranishëm në Komisionin për Llogari Publike, i cili komision kryen funksionin e njejtë sikurse të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike. Me këtë rast, anëtarët e komisionit do të përcjellin një sesion të këtij komisioni. Pas shpalosjes së agjendës për viziten, anëtarët e komisionit kanë falenderuar ambasadorin për përkrahjen e tyre dhënë këtij komisioni. Ata u shprehën se vizita në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar është në kohën e duhur, duke shpresuar se do të shfrytëzojnë të gjitha përvojat e këtij vendi. Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Haki Shatri, po ashtu e njoftoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Sparkes lidhur me punën dhe angazhimet e deritanishme të komisionit të cilin e udhëheq ai.
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike