Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media
, 25.01.2010
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Propozim Plani i Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2010. Përkitazi më këtë u tha se edhe pjesa e këtij plani që flet për çështje që kanë të bëjnë me fushë veprimtarinë e këtij Komisioni është mjaft e ngjeshur, ndaj është i nevojshëm një angazhim maksimal i anëtarëve të Komisionit për realizimin e projekteve të parashtruara. Në vijim Komisioni shqyrtoi shkresën e Ministrisë së Administratës Publike sipas kërkesës së këtij Komisioni për renovimin e Pallatit të Shtypit, fjala është për çështjen e kompensimit të dëmshpërblimit të kompanisë Çlirimi” me rastin e prishjes së kontratës për punët në këtë pallat. Gjatë diskutimit për këtë shkresë u tha se Ministria sipas kompetencës së vet ka dhënë informacionin e kërkuar, ndërsa është punë e gjykatës se si do të vendosë për këtë çështje. Përkitazi me shqyrtimin e njoftimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës konform rregullores 2008/12, Komisioni i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit që të njoftohet Qeveria e Kosovës për vendimet e KPMK-së dhe të kërkohet zbatimi i tyre.