Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryesuesin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer

, 26.01.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim kryesuesin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer dhe shefen e seksionit për Kuvend, Jennifer Ober, me të cilët bisedoi rreth mbështetjes së deritashme të OSBE-së për Kuvendin, dhe nevojat e mbështetjes në të ardhmen. Kryeparlamentari Krasniqi, pasi e falënderoi ambasadorin e Almhofer për mbështetjen e deritanishme të OSBE-së për Kuvendin e Kosovës, shprehu nevojën për vazhdimin e kësaj mbështetjeje edhe në të ardhmen. Kreu i Kuvendit të Kosovës potencoi nevojën për mbështetje të komisioneve, organizimin e debateve publike, monitorimin e zbatimit të ligjeve, hartimin e ligjeve që sponsorizohen nga Kuvendi, për përmbushjen e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009 etj.

Krasniqi tha se gjatë gjithë këtyre viteve OSBE-ja e ka mbështetur punën e Kuvendit në disa drejtime, si: në bashkëpunimin me vendet e rajonit, në punën e komisioneve, organizimin e debateve të ndryshme të komisioneve, në administratë etj. Sipas kreut të legjislativit të Kosovës, mbështetje e vazhdueshme ka ardhur edhe për punën dhe funksionimin e institucioneve të pavarura të Kosovës, siç është Ombudspersoni dhe institucionet e ngjashme.

“Kjo formë e bashkëpunimit dhe e mbështetjes që vjen nga OSBE-ja dhe organizatat e tjera që po e ndihmojnë dhe mbështesin Kuvendin në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive konform kushtetutës dhe ligjit, është e një rëndësie të madhe. Këtë bashkëpunim do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi, duke shfaqur shpresën që çdo ditë puna e Kuvendit do të bëhet më cilësore dhe më transparente. Ai tha se në këtë punë Kuvendi ka nevojë edhe për një mbështetje dhe komunikim më të mirë, jo vetëm brenda vendit por edhe me vendet e rajonit.

Kreu i Kuvendit tha se në takim u bisedua edhe për RTK-në, si medium publik i pavarur. Krasniqi shprehu besimin që në seancën e ardhshme do të gjendet një zgjidhje për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, kohë e cila do të shfrytëzohet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për financimin e RTK-së.

Kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer, ndërkaq, foli për bashkëpunimin ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit të Kosovës, duke potencuar interesimin për vazhdimin e tij edhe gjatë vitit në vijim. Ai foli për rëndësinë e parlamentit si organ mbikëqyrës, dhe përmendi disa çështje pozitive, si zgjedhjen e Ombudspersonit të Kosovës, punën e zhvilluar me komisionet përkatëse të cilat janë pjesë e Kuvendit etj.
Kryeparlamentari Krasniqi priti kryesuesin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer