Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Imami

, 15.02.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe të paqes e të qëndrueshmërisë në rajon.

Duke i dëshiruar z. Imami mirëseardhje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar shtetin shqiptar për mbështetjen e gjithanshme për Kosovën, duke theksuar se të dy vendet tona duhet të bëjnë edhe më shumë për bashkëpunim me interes të ndërsjellë. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e përshpejton edhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, ka theksuar Krasniqi, i cili ka vënë në pah se Kuvendi dhe institucionet e tjera të Kosovës i kanë dhënë mbështetje të fuqishme FSK-së për modernizim dhe përmbushjen e misionit të saj kushtetues për vendin. Ai ka folur edhe për punën e madhe të Kuvendit të Kosovës, sa i përket sigurimit të kushteve të barabarta për zhvillim të suksesshëm të të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke pohuar se pas zgjedhjeve të fundit lokale është shtuar interesimi i qytetarëve nga komuniteti serb për integrim në shoqërinë e Kosovës.

Kreu i Kuvendit e ka uruar ministrin Imami për përballimin e situatës së vështirë në pjesën veriore të Shqipërisë pas përmbytjeve të shkaktuara në fillim të këtij viti.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Arben Imami, duke e përgëzuar kryeparlamentarin Krasniqi për të arriturat impresive të Kosovës, e ka uruar atë për dyvjetorin e Pavarësisë së vendit. Ai i ka përcjellë z. Karsniqi, institucioneve të vendit dhe popullit të Kosovës, falënderimet e kryeministrit Berisha për mbështetjen e gjerë dhe të pakursyer për zonat e përmbysura të Shqipërisë.

Imami ka shprehur kënaqësinë e tij për të arriturat e deritashme të FSK-së, si dhe ka shprehur vullnetin e ministrisë, të cilën e udhëheq, për të mbështetur në vazhdimësi jo vetëm FSK-në, por edhe të gjithë strukturat e tjera që janë të lidhura me sigurinë e Kosovës. FSK-ja prodhon siguri, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, ka theksuar Imami.
Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Imami