Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit

, 17.05.2010




Shqyrtimi i Raportit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2009 , ishte pika e parë e vazhdimit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit. Në debatin e gjerë u tha se Raporti paraqet gjendjen faktike në fushën e energjisë në Kosovë dhe se është hartuar sipas standardeve përkatëse. Mirëpo, diskutuesit zunë në gojë disa ecuri jo të mira që po e shoqërojnë lëmin e energjisë, siç janë humbja e energjisë së prodhuar, që si vlerësohej gati gjysma e saj humb, ndërsa në të njëjtën kohë Kosova detyrohet të importojë energji elektrike me çmime shumë të larta. Kështu, vetëm në vitin 2009, për importin e energjisë elektrike u dhanë mbi 46 milionë euro. Një problem tjetër në këtë lëmë është niveli i ulët i pagesës së energjisë nga ana e konsumatorëve. Brengos fakti që konsumatorët nuk gjejnë mbrojtje të duhur nga ana e Zyrës së Rregullatorit, ndërsa këtë e dëshmon fakti se gjysma e atyre që kanë parashtruar ankesa nuk kanë marrë përgjigje nga ana e kësaj Zyre. Ndodh, po kështu, që pikërisht konsumatorët e rregullt në shumë raste mbesin pa energji elektrike, për shkak të shkyçjeve kolektive, dukuri që sipas deputetëve nuk duhet të ndodhë. Gjatë debatit si detyra më të ngutshme shtroheshin kompletimi i lëmit të energjisë me legjislacion sipas standardeve evropianen , si dhe kërkohej transparencë në tregun e energjisë. Pas debatit u aprovua Raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2009.

Në vijim të seancës, një pjesë të së cilës e kryesoi edhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit , Ibrahim Gashi, u shqyrtua Raporti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2009. Vëmendjen e diskutuesve gjatë shqyrtimit të këtij Raporti ishte vonesa e pajustifikueshme e 20 për qindëshit të mjeteve për punëtorët e ndërmarrjeve që janë privatizuar, si dhe çështja e fondit të mjeteve të grumbulluara nga privatizimi i ndërmarrjeve , të cilat nuk po investohen në Kosovë. Një problem tjetër në këtë vështrim u tha se është edhe fakti që ende AKM-ja nuk ia ka dorëzuar të gjitha kompetencat AKP-së.

Ndër vërejtjet tjera të diskutuese ishte çështja e privatizimit me spinof special, ndaj shtrohej si detyrë e ngutshme ndryshimi i Ligjit për privatizimin. Kishte edhe zëra se privatizimi është një tregim i keq, sepse ai nuk solli punësim dhe zhvillim të pritur në Kosovës. Në këtë frymë mjaft kritika u bënë në adresë të Njësisë së monitorimit të ndërmarrjeve, të cilat nuk kryen punën e vet, ashtu si parashohin dispozitat ligjore, ndaj këto ndërmarrje kanë ardhur në një gjendje shumë të keqe afariste. Një tjetër brengë e deputetëve ishte edhe “Trepça”, e cila po ballafaqohet me shumë vështirësi. Parregullsi të mëdha diskutuesit hetonin edhe në lëmin e pronave shoqërore, të cilat po pwrvetwsohen e barten në mënyrë joligjore. Këtë proces po e shoqëron edhe falsifikimi i dokumentacionit. Meqë nuk kishte kuorum, votimi për këtë Raport do të bëhet në seancën e radhës.

Në vazhdim u shqyrtua Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për Barazi Gjinore. Përkitazi me këtë, deputetët vlerësuan këtë Program si një bazë të mirë për angazhim të gjerë shoqëror e institucional drejt avancimit të mëtejmë të pozitës së femrës në shoqërinë kosovare. Ndër segmentet ku do të duhej të orientohej tehu i aktiviteteve të gjithëmbarshme të institucioneve dhe shoqërisë përgjithësisht në ngritjen e pozitës së femrës, u theksuan arsimimi, pjesëmarrja në vendimmarrje, në ekonomi, ndihma në mbrojtjen shëndetësore, sidomos kur është fjala për kancerin e gjirit etj. Në këtë frymë u tha se legjislacioni i vendit përbën një bazament të rëndësishëm për realizimin e objektivave të Programit të Qeverisë, pra janë krijuar mekanizmat ligjor e institucional për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri, si një parakusht i rëndësishëm drejt integrimit evropian. Votimi për këtë Raport gjithashtu do të bëhet në mbledhjen e radhës.
Seanca e Kuvendit