Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 08.06.2010




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare ka vendosur që seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 17 qershor dhe e ka përcaktuar edhe rendin e ditës për këtë seancë.

Pjesa e parë e saj është rezervuar për pikat e zakonshme të rendit të ditës së seancave të rregullta parlamentare: Deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë seancë parashihet që të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për qasje në dokumente publike dhe Projektligji për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen edhe raportet e punës (për vitin 2009) të katër agjencive të krijuara nga Kuvendi: Agjencisë Kosovare të Pronës, Autoritetit të Aviacionit Civil, Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës.

Kryesia ka vendosur që për seancën e radhës ta vërë në rend dite kërkesën për lejimin e kompensimit për anëtarët e Bordit dhe personelin administrativ të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Kryesia është njoftuar se nga data 14- 18 qershor Kuvendin do ta vizitojë një delegacion shtatanëtarësh i Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë. Ajo është njoftuar edhe me shkresën e deputetes Besa Gaxherri lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit, së cilës i është bashkangjitur interpretimi i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Në mbledhje janë shqyrtuar edhe çështje të mungesave të shpeshta të deputetëve në seanca plenare të Kuvendit, si dhe çështje të vizitave zyrtare të deputetëve në vende të ndryshme.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës