Lajmet e fundit

Konferencë për media e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, pas kthimit nga Brukseli

, 25.06.2010




Pas kthimit nga Brukseli, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën ka njoftuar për takimin e tretë ndërparlamentar ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe për rezultatet e këtij takimi, i zhvilluar më 22 dhe 23 qershor në selinë e BE-së.

Kryeparlamentari Krasniqi tha se ishte takim i organizuar mirë nga të dy palët, në të cilin përfaqësuesit e Kuvendit të Republikës së Kosovës prezantuan të gjitha të arriturat që kanë ndodhë në Kosovë, e në mënyrë të veçantë në Kuvend, nga qershori i vitit të kaluar.

Sipas Krasniqit, prezantimet nga diskutuesit e Kuvendit ishin të përgatitura mirë, ndërsa atmosfera në Parlamentin Evropian ishte mjaft shpresëdhënëse. Kryetari i Kuvendit tha se PE-ja ka një qasje shumë pozitive ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe në mbështetje të proceseve politike që janë duke ndodhur në vend.

Gjithashtu, kryeparlamentari konfirmoi se në Parlamentin Evropian ka një gatishmëri për të përshpejtuar liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, në drejtim të zonës Shengen.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Krasniqi tha se delegacioni i Kosovës ka shkuar në Bruksel me plot rezultate dhe ka marrë notë shumë pozitive.

“Në fund të takimit miratuam një deklaratë të përbashkët dhe konsiderojmë se është një dokument i rëndësishëm, jo vetëm për Kuvendin e Republikës së Kosovës, për për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë”, u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Konferencë për media e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, pas kthimit nga Brukseli