Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Bujqësi...

, 21.09.2010




Për të diskutuar mbi gjendjen e krijuar në prodhimtarinë e vreshtave, sot në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, ishte i pranishëm edhe zv/ ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Xhabir Morina.

Kryetari i Komisionit, Naser Rugova, pasi përshëndeti zv/ ministrin Morina dhe e falënderoi atë që i është përgjigjur ftesës së tyre, e njoftoi atë për shqetësimet e komisionit lidhur me prodhimtarinë vreshtare. “ Kemi ndjekur rrugën institucionale për të biseduar dhe kërkuar zgjidhje lidhur me problemet e prodhuesve të rrushit”, u shprehë Rugova. Në vijim, Rugova siguroi zv/ministrin se, komisioni që ai drejton është i gatshëm të procedojë në Kuvendë të gjitha masat e nevojshme që do të ndihmonin në tejkalimin e kësaj çështje.

Zv/ministri Morina, duke dhënë një pasqyrë rreth angazhimeve të ministrisë, tha se bujqësia është njëra prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë dhe të ardhmes së Kosovës. Ndërkaq duke folur për prodhuesit e kulturave bujqësore ai shtoi se prodhimi është kryesisht në duart e fermerëve të vegjël. Me këtë rast ai saktësoi se përmasat mesatare të fermës sillen rreth 2- 2.5 ha dhe me ngastra shumë të fragmentuara. Po ashtu, zv/ministri Morina vuri në pah se rreth 80% të fermerëve kanë madhësi prej 0.5 deri në 2.0 ha, dhe kjo shkakton probleme të konsiderueshme në zhvillimin e duhur të degës së prodhimtarisë bujqësore në Kosovë. Në vijim, zv/ministri para komisionit paraqiti masat që ka marrë MBPZHR për tejkalimin e gjendjes së krijuar me prodhuesit e rrushit . Në lidhje me këtë ai tha Ministria ka propozuar që :” Ndërmarrjet përpunuese të verës të subvencionohen me 0,04 euro për çdo litër të verës së prodhuar gjatë vitit 2009”. Ndërkaq, lidhur me infrastrukturën ligjore, e cila do të ndikonte në zgjidhjen e çështjes së ngritur, zv/ ministri Morina vuri në pah nevojën e ndryshimit të Ligjit mbi verërat, ku sipas MBPZHR-së, vera të trajtohet:” prodhim ushqimor bujqësor i fituar ekskluzivisht nga fermentimi alkoolik i tërësishëm apo i pjesshëm i rrushit të freskët”. Në fund të fjalës së tij, zv/ministri shprehu bindjen e plotë se deri nesër do të gjendet zgjidhje e duhur rreth kësaj çështje, ndërkaq anëtarët e komisionit u shprehën për bashkëpunim të përbashkët për tejkalim të kësaj situate.
Nga Komisioni për Bujqësi...