Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale

, 12.10.2010




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, të cilin e ka kryesuar kryetari i Komisionit, z. Sadik Idrizi, ka mbajtur sot një mbledhje në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte Ndërprerja e njëanshme nga Qeveria Zvicerane e Marrëveshjes për pensionet invalidore të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar në këtë vend si dhe zbatimi i rekomandimeve të Kuvendit të Kosovës përkitazi me këtë çështje.

Në mbledhjen e përmendur, përveç anëtarëve të Komisionit merrnin pjesë edhe përfaqësuesit nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nga KDI-a si dhe deputeti i pavarur i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Emrush Xhemajli.

Në fillim të kësaj mbledhjeje, anëtarët e Komisionit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për shkak të mos pjesëmarrjes në mbledhje të Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Nenad Rashiqit, ministrit të Punëve të Jashtme, z. Skender Hysenit si dhe ministrit të Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, ndonëse ishin të ftuar me kohë që të marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit.

Në vazhdim të mbledhjes, përfaqësuesi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Behxhet Gagiçi, duke folur për pikën bosht të rendit të ditës ka theksuar se deri më tani afro 200 qytetarë kanë gëzuar pensione të rregullta invalidore nga Zvicra, mirëpo pensionet e përmendura janë ndërprerë që nga 1 prilli i këtij viti, për shkak të ndërprerjes së njëanshme të Qeverisë Zvicerane që do të thotë ndërprerjes së Marrëveshjes për pensionet invalidore të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar në këtë vend. Në vazhdim z. Gaqiq ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka formuar një grup ndërministror para një kohe të konsiderueshme dhe ka pasur një mbledhje të përbashkët me përfaqësuesit e Qeverisë Zvicerane në Zvicër, në të cilën ata janë informuar nga ana e përfaqësuesve të Qeverisë Zvicerane për q`arsye ka ardhur deri te ndërprerja e njëanshme e marrëveshjes dhe cilët janë hapat e mëtutjeshëm për tejkalimin e situatës së krijuar lidhur me pagesën e pensioneve invalidore për qytetarët e Kosovës. Në përfundim të fjalës së tij z. Gaqiq ka theksuar se së shpejti grupi ndërministror do të takohet dhe do të përcaktohet se cilët janë hapat urgjent dhe konkret që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës dhe ministritë tjera për të dal nga kjo situatë e vështirë.

Në këtë mbledhje duke folur për këtë temë përfaqësuesi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Fadil Raca ka theksuar se në mbledhjen e përbashkët me përfaqësuesit e Qeverisë së Zvicrës në Zvicër janë saktësuar obligimet të cilat i përkasin palës Kosovare dhe se ata janë të gatshëm që të gjitha këto obligime t’i përmbushin sa më parë, kështu që të krijohen kushtet për nënshkrimin e marrëveshje së re në mes dy vendeve tona.

Në fund z. Raca ka theksuar se duhet vepruar shpejt në mënyrë që të mos vijë deri te një situatë në të ardhmen e afërt që afro 170.000 qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër të sillen në një situatë që përveç pensioneve invalidore t’i humbin edhe pensionet e rregullta të pleqërisë, shtesat e fëmijëve dhe disa të drejta sociale që u takojnë. Në fund të kësaj mbledhjeje anëtarët Komisionit për shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale kanë theksuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt të mbajtur më 16. 09. 2010 kanë dal me rekomandime për dalje nga kjo situatë e vështirë konform këtyre rekomandimeve edhe Qeveria e Republikës së Kosovës që do të thotë grupi ndërministror duhet të kenë parasysh për të kapërcyer këtë situatë të vështirë për qytetarët tonë të cilët kanë punuar në Zvicër e të cilët i kanë arritur kushtet që ato pensione t’i marrin me kohë dhe pa kurrfarë problemesh.
Nga mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale