Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti nënkryetarin e KLD-së së Shqipërisë, Spahiu

, 02.03.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga zëvendëskryetari, Kreshnik Spahiu.

Duke i uruar mirëseardhje përfaqësuesve të këtij institucioni të drejtësisë shqiptare, kryetari Krasniqi foli për një varg çështjesh, me theks të veçantë, për sistemin elektoral në vend dhe atë të drejtësisë. Kreu i Kuvendit foli për ndarjen e pushteteve, duke potencuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për reforma në sistemin e drejtësisë dhe respektimin e pavarësisë së tij.

Nga ana e tij, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, duke e uruar kryeparlamentarin Krasniqi për rizgjedhjen në këtë post, u fokusua në mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e legjislacionit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Spahiu tha se legjislacionet duhet të jenë të përafërta, sepse Kosova dhe Shqipëria po ecin drejt integrimeve evropiane.

Nënkryetari i KLD-së, shpalosi idenë e organizimit të një konference, në të cilën do të diskutoheshin fenomene negative me të cilat përballen sot shoqëritë tona.
Kryeparlamentari Krasniqi priti nënkryetarin e KLD-së së Shqipërisë, Spahiu