Lajmet e fundit

Reagim rreth artikullit “Edhe Jahjaga në Kushtetuese”

, 12.04.2011




Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës e sheh të nevojshme të sqarojë opinionin se një informatë e dhënë sot në disa media , e cila ka të bëjë me gjoja qëllimin e kryetarit të Kuvendit z. Krasniqi që ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese, ligjshmërinë e zgjedhjes së presidentes së Republikës së Kosovës, nuk është asgjë më shumë se një trillim qëllimkeq dhe shkelje profesionale.

Kabineti i Kryetarit të Kuvendit hedh poshtë pohimet se dikush nga Kabineti i Kryetarit të ketë thënë se Jakup Krasniqi dhe Lëvizja Vetëvendosje do të paraqesin iniciativë në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me zgjedhjen e presidentes së Kosovës, znj. Jahjaga. Për z. Krasniqi zgjedhja e Presidentes është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Është për të ardhur keq se si disa nga gazetat ditore të Kosovës bien pre e gazetës serbe “Pravda”. Ato nuk e panë të arsyeshme, që para se të botojnë këtë artikull, të kontaktojnë edhe me këshilltarin për Media të kryetarit apo ndonjë zyrtar tjetër të Kabinetit të z. Jakup Krasniqi.

Kabineti i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës