Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës

, 22.04.2011




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar, ka miratuar themelimin e Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Gjatë mbledhjes së sotme, deputetët e Kuvendit po ashtu kanë zgjedhur edhe Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kandidatë për të cilën pozitë ishin Gani Gërguri dhe Safet Merovci.

Deputetët me procedurë të fshehtë me shumicë votash zgjedhën kandidatin Gani Gërgurin për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Në vijim të mbledhjes përkundër vërejtjeve që u paraqitën u shqyrtuan dhe u miratuan këto raporte: Raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave, për vitin 2010, Raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, për vitin 2010, Raporti vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për vitin 2010, si dhe Raporti i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për periudhën mars 2009 dhjetor 2010.

Më tej, deputetët shqyrtuan dhe e mbështetën propozimin e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për uljen e Taksës Menaxhuese nga 0.80 për qind në 0.65 për qind.

Deputetët po ashtu e kanë shqyrtuar edhe propozim- programin e punës së Kuvendit për vitin 2011.

Programi i punës për vitin 2011 është hartuar në bazë të strategjisë legjislative të Qeverisë së Kosovës, të planeve të punës së komisioneve parlamentare për vitin 2011, si dhe të Planit të Veprimit të Kuvendit për Integrime Evropiane, për vitin 2011. Programi i punës për vitin 2011 paraqet dokumentin bazë për aktivitetin e Kuvendit, si organ ligjvënës, mbikëqyrës dhe përfaqësues.

Propozim-Programi i punës së Kuvendit u mbështet unanimisht nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në fund të mbledhjes u shqyrtua edhe propozimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e një anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore. Anëtar i këtij komisioni me shumicë votash u përzgjodh Adem Vokshi.
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës