Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim...

, 11.05.2011




Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme miratoi listën e emrave të propozuar për anëtarë të Këshillit për Komisionin e Pavarur të Medieve nga Komisioni i Pavarur për Media. Listën prej tetë anëtarëve, Komisioni do t’ia propozojë Kryesisë së Kuvendit për procedim të mëtutjeshëm për miratim në një nga seancat e radhës.

Po ashtu, Komisioni shqyrtoi edhe Raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës (KPM) për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2010.

Për të diskutuar rreth këtij raporti, i pranishëm ishte edhe kryetari i KPM-së, Mehdi Geci. Ai me këtë rast dha një pasqyrë të gjerë rreth punës dhe sfidave që e përcjellin KPM-në. Kryetari Geci njoftoi anëtarët e Komisionit se gjatë vitit 2010, KPM-ja ka pranuar 290 ankesa të parashtruara nga nëpunësit civilë. Këto ankesa, vazhdoi Geci, kanë pasur për objekt: ndërprerjen e kontratës së punës, kontestim konkursi, kompensim material, mos vazhdim i kontratës së punës, ulje të pozitës dhe ndërrim pozite. Në vijim, Geci tha se numri më i madh i ankesave ka të bëjë me ndërprerje të kontratave (86), dhe kontestim konkursi (82) ankesa. Duke folur për sfidat e KPM-së, kryetari i tij tha se mosrespektimi i vendimeve të KPM-së nga organet punëdhënëse, vazhdon të mbetet edhe më tutje sfida më e madhe për këtë këshill.

Pas një debati të gjerë, anëtarët e Komisionit unanimisht miratuan raportin duke e vlerësuar korrekt dhe objektiv. Ndërkaq, për rekomandimet dhe vërejtjet eventuale u zotuan se do të japin kontributin e tyre gjatë shqyrtimit të tij në seancë plenare.
Mbledhja e Komisionit për Arsim...