Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti shefin e UNMIK-ut, Zannier
, 30.06.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim lamtumirës shefin e deritashëm të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, të cilin e ka falënderuar për punën e bërë në Kosovë dhe i ka uruar detyrën e re në të cilën është emëruar: Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së.
Shefi në largim i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, e ka falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për bashkëpunimin që ka pasur me Kuvendin e Kosovës dhe me të personalisht, si dhe është shprehur i bindur se bashkëpunimin do ta vazhdojë edhe nga posti i ri që ka marrë. Ai e ka përgëzuar kreun e Kuvendit për punën e mirë që ka bërë legjislativi i vendit për miratimin e ligjeve. Ndërkaq, ka theksuar se edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e vlerëson Kosovën storie të suksesshme.
Kryeparlamentari Krasniqi ka folur edhe për bashkëpunimin e mirë të Kuvendit me të gjitha institucionet ndërkombëtare në Kosovës dhe me parlamentet e vendeve të tjera, e në këtë mes edhe me Parlamentin e Italisë.