Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 26.07.2011
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për dy seancat e fundit të Sesionit pranveror.
Në seancën e së enjtes (28 korrik) do të procedohet me deklarime jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Në vazhdim do të Ratifikohet Marrëveshja për Llogarinë e Trustit në mes të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës lidhur me ndihmën zhvillimore përmes Programit për Arsim Themelor, kurse më pastaj deputetet do të merren me shqyrtimin e projektligjeve. Do të shqyrtohet për herë të parë Projektligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, kurse në vazhdim edhe pesë projektligje të tjera: Projektligji për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e Duhanit, Projektligji për zjarrfikje dhe shpëtim, Projektligji për mbrojtjen e informatorëve, Projektligji për masat mbrojtëse të importeve, si dhe Projektligji për prokurimin publik në Republikën e Kosovës.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen tetë projektligje: Projektligji për Organizimin Sindikal, Projektligji për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Projektligji për Kadastrën, Projektligji për markat tregtare, Projektligji për dizajnin industrial, Projektligji për patenta, si dhe Projektligji për përdorim civil të eksplozivëve.
Në seancën e së premtes (29 korrik) do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për Komisionin e pavarur të mediave, Projektligji për partneritet publiko privat, Projektligji për transmetimin publik në Kosovë, Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin funksionit publik, si dhe Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
Për herë të dytë në këtë seancë do të shqyrtohen: Projektligji për ndihmën shtetërore, Projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verërat, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe prestarëve të tyre në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për ndihmën juridike falas.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen edhe:Raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2010, si dhe propozime të grupeve parlamentare për ndërrim anëtarësh në komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash, propozimesh dhe rekonamdimesh. Kështu pasi e ka shqyrtuar. Propozim-Vendimn e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarit në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, e ka autorizuar Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri , të përgatisë raportin me rekomandime, kurse Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri e ka ngarkuar me Propozim-Vendimin e ekzekutivit të vendit lidhur me përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Duke e shqyrtuar propozimin e Komisionit për Punë të Jashtme për formimin e Grupit të Miqësisë në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryesia ka kërkuar nga grupet parlamentare të emërojnë nga një anëtar të tyre në këtë grup të miqësisë.
Kryesia e ka shqyrtuar edhe kërkesën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dorëzimin e kopjeve të materialeve të Kuvendit, për nenet e kontestuara të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, duke vendosur që kësaj gjykate t'ia përcjellë të gjitha draftet e këtij ligji të përgatitura në legjislaturat e shkuara, tekstin e ligjit të miratuar në Kuvend, si dhe ligjet e disa shteteve të rajonit, për të parë se si e kanë rregulluar çështjen në shqyrtim.
Anëtarët e Kryesisë kanë shqyrtuar edhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me projeksionin e shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës, për periudhën korrik-shtator 2011, kurse janë njoftuar edhe me vendimet e grupeve parlamentare për zëvendësim deputetësh nëpër komisionet parlamentare.
Kryesia në mbledhjen e sotme me shefat e grupeve parlamentare ka vendosur ta përgjysmojë kohën e zakonshme të pushimeve vjetore të deputetëve. Ato sivjet do të zgjasin nga 1 deri më 19 gusht, kurse Sesioni vjeshtor do të fillojë më 22 gusht.