Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

, 31.08.2011




U miratuan tetë projektligje në parim.

Pas një debati të gjerë, Kuvendi miratoi Projektligjin për fshatin Hoçë e Madhe
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), ka miratuar në parim tetë projektligje.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, prezantoi para deputetëve Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shtetësinë e Kosovës. Duke shkoqitur arsyet e plotësim-ndryshimit të këtij projektligji, të cilat, sipas tij, kanë të bëjnë me rregullimin e fitimit të shtetësisë së Kosovës nga personat pa shtetësi, Rexhepi tha se në këtë projektligj janë përcaktuar afate më të gjata për fitimin dhe rifitimin e shtetësisë, si dhe për humbjen e saj. Sipas tij, projektligji është i harmonizuar me Kushtetutën dhe ndryshimet iu kanë përshtatur rrethanave të reja të krijuara në Republikën e Kosovës. Ministri Rexhepi, prezantoi gjithashtu, edhe Projektligjin për Agjencinë Kosovare të Forenzikës.

Pas diskutimeve nga ana e deputetëve, projektligjet u miratuan në parim. 

Projektligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtave të Përafërta, ndërkaq, u prezantua nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Gjatë prezantimit, ministri Krasniqi tha se ky projektligj rregullon në mënyrë të duhur dhe specifike çështjet e kësaj fushe si pjesë e sferës së pronësisë intelektuale. Ai tha se miratimi i tij është kërkesë edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Pas shterimit të debatit nga ana e deputetëve, të cilët dhanë vërejtje dhe sugjerime për nene të caktuara të tij, projektligji u miratua në parim. Në vazhdim, në emër të Qeverisë së Kosovës, zv/kryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i prezantoi Kuvendit Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike. Në fjalën e tij, Kuçi theksoi se nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji konsiston në rritjen e transparencës dhe të kontrollit të shpenzimit të mjeteve financiare nga subjektet politike, ndaljen e keqpërdorimit të fondeve dhe rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në subjektet politike.

Deputetët, ndërkaq, dhanë mendimet e tyre për këtë projektligj dhe e miratuan atë në parim.
Përkrahjen e deputetëve e mori edhe Projektligji për Hekurudhat Kosovës, përmbajtjen dhe rëndësinë e të cilit, në pika të shkurtra, i shpalosi ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, prezantoi Projektligjin për mbeturina dhe atë për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, të cilat u miratuan nga deputetët e Kuvendit.
Debat i gjerë u zhvillua, posaçërisht për Projektligjin për fshatin Hoçë e Madhe. Duke pasur parasysh debatin e ngritur në opinion rreth këtij projektligji, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i cili e prezantoi projektligjin, dha një varg sqarimesh, duke potencuar nevojën e miratimit të tij, si obligim ndaj implementimit të Pakos së Ahtisarit.

Gjatë debatit, pati përkrahje dhe kundërshtime nga deputetët e Kuvendit, të cilën shkoqitën aspekte të ndryshme të tij. Një pjesë e deputetëve kërkonte kthimin e tij për ripunim, ndërsa pjesa tjetër potenconte nevojën e miratimit në parim.

Duke e marrë fjalën rreth këtij projektligji, kryeministri Hashim Thaçi, theksoi se Kosova ka marrë mbështetjen ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë, dhe në të njëjtën kohë, janë marrë edhe obligime ndërkombëtare. “Teksa angazhohemi të gjithë për shtrirjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën, është e rëndësishme që të vazhdojmë agjendën e konsolidimit dhe të forcimit të shtetit tonë, me të gjitha kriteret dhe standardet që i kemi aprovuar në Kuvend dhe kemi obligim t’i implementojmë”, theksoi ai. Më tej, kryeministri Thaçi ftoi për sjellje me përgjegjësinë më të lartë shtetërore, përtej ndasive partiake. Ai tha se Kosova nuk rrezikohet nga pakicat dhe implementimi i dokumentit të Presidentit Ahtisari. Sipas tij, këto janë ligje për ta implementuar sa më shpejtë dokumentin e Ahtisarit dhe për ta përmbyllur sa më shpejtë procesin e pavarësisë së mbikëqyrur.

Duke kërkuar nga deputetët që të jenë në krye të përgjegjësive të tyre shtetërore, i ftoi ata që ta votojnë këtë projektligj.

Pas shterjes së debatit, projektligji u hodh në votim dhe u miratua në parim nga deputetët.

Nga mbledhja plenare e Kuvendit