Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti deputetin gjerman të Parlamentit Evropian, Bent Possellt

, 05.09.2011




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim deputetin gjerman të Parlamentit Evropian, Bent Possellt. Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi e falënderoi eurodeputetin Possellt për angazhimin e tij personal në Parlamentin Evropian për Kosovën. Në vijim kryekuvendari Krasniqi vuri në pah edhe kontributin e gjithë parlamentarëve gjermanë që Parlamenti Evropian të ketë qasje shumë pozitive ndaj Kosovës."Me Parlamentin Evropian kemi pasur kontakte të rregullta dhe mbështetje, ashtu si edhe nga parlamentet e veçanta të Bashkimit Evropian", theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Pasi u falënderua për pritjen, deputeti gjerman në Parlamentin Evropian, Bent Possellt, tha se Parlamentin Evropian gjithnjë ka qenë për pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, ekziston problemi i 5 shteteve të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës."Parlamenti Evropian nuk pranon asnjë lloj ndarjeje të Kosovës. Kosova është unike", theksoi z. Possellt. Përkitazi me çështjen e minoriteteve eurodeputeti gjerman tha se minoritetet duhet të respektohen në të dyja anët e kufirit shtetëror Kosovë-Serbi. Në takim u fol edhe për gjendjen në veri të Kosovës, si dhe për procesin e bisedimeve Kosovë- Serbi.

Kryekuvendari Krasniqi e njoftoi deputetin Possellt edhe me strukturën e Kuvendit dhe për punën që bën legjislativi i vendit në hartimin dhe aprovimin e ligjeve sipas standardeve evropiane.


 

 Kryekuvendari Krasniqi priti deputetin gjerman të Parlamentit Evropian, Bent Possellt