Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 09.09.2011
Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, nr. 04/L -68, para miratimit në parim. Gjatë debatit Komisioni vlerësoi se ky Projektligj është në pajtim me ligjin dhe kushtetutën, ndaj edhe përkrahën procedimin e mëtejmë të Projektligjit në Kuvend. Anëtarët e Komisionit u zotuan njëkohësisht se në fazat e mëtejme të shqyrtimit do të angazhohen që ligji të plotësojë standardet rajonale dhe ato të BE-së.
Në vijim u fol edhe për obligimet e grupeve punuese, të cilat kanë para vetes amendamentimin e 5 projektligjeve. Vlerësim i përbashkët ishte se duhet të shpejtohen punët në mënyrë që sa më shpejt Komisioni të përfundojë punën në amendamentimin dhe procedimin e mëtejmë të këtyre projektligjeve. Që nga java e ardhshme grupet punuese i pret një punë intensive, posaçërisht rreth amendamentimit të Projektligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe Projektligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.