Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews
, 12.09.2011
"KFOR-i gëzon respekt të madh nga qytetarët e Kosovës dhe nga institucionet e vendit", ka theksuar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në takimin sotëm njohës që ka pasur me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews. Duke i uruar detyrën e re e me përgjegjësi në krye të forcave shumëkombëshe të sigurisë në Kosovë, Krasniqi e ka lavdëruar bashkëpunimin shumë të afërt të Kuvendit, por edhe të institucioneve të tjera të Kosovës me KFOR-in, duke u shprehur i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet. " KFOR-i ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për qetësinë dhe stabilitetin e Kosovës", ka theksuar kreu i Kuvendit duke u shprehur i bindur se roli i forcave paqeruajtëse do të jetë primar edhe në pjesën veriore të Kosovës, në të cilën vazhdon të jetë i pranishëm krimi i organizuar, i importuar nga Beogradi. "Jemi të vendosur që ligji të veprojë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore të saj", është shprehur Krasniqi.
Duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë që i kishte rezervuar, komandanti i ri i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, është shprehur se detyrën e tij aktuale e ka marrë si një sfidë të re, të cilën është shprehur optimist se do ta përmbushë më lehtë duke bashkëpunuar me qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Duke qenë i bindur për domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë, në kontekstin më të gjerë, Drews është shprehur se motoja e tij e veprimit në detyrën me përgjegjësi që ka marrë do të jetë: "Të gjithë të jemi si një!"