Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
, 12.09.2011
"Situata e tanishme në vend është nën kontroll, e qetë, por e brishtë", theksoi fillimisht ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, gjatë raportimit të tij para anëtarëve të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i komisionit.
Duke folur për gjendjen e sigurisë në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë për gjendjen e pas 25 korrikut, pas intervenimit në veriun e Kosovës, ministri Rexhepi theksoi se aktualisht ka tensionime në veriun e vendit dhe ka mundësi të eskalojë situata, meqë sipas tij në këtë pjesë ka barrikada të ndryshme dhe protesta të paligjshme të organizuara nga grupe të ndryshme kriminale.
Ai theksoi se gjatë javëve të ardhshme pritet të shënohen protesta në këtë pjesë në mënyrë që mos të lejohet implementimi i paraparë që më datën 16 shtator në pikat kufitare 1 dhe 31 të vendosen policia kufitare dhe doganierët e Kosovës së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in.
Ministri Rexhepi më tej theksoi se pritet të finalizohet drafti dhe të fillojë funksionalizimi i pikave kufitare 1 dhe 31, sikurse në tërë territorin e Kosovës, duke shtuar se të gjitha mallrat me akcizë do të orientohen në pikën kufitare 3 dhe nuk do të ketë kalim të derivateve të naftës, alkoolit dhe cigareve në pikat 1 dhe 31.
Ministri Rexhepi duke dhënë një përshkrim të situatës së tanishme në vend dhe duke iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të anëtarëve të komisionit parlamentar për siguri, theksoi se pas vendimit të Qeverisë për masat e reciprocitetit në të gjitha pikat kufitare është zbatuar reciprociteti, por kjo nuk ka ndodhur në pikën kufitare 1 dhe 31 për arsye te mosgatishmërisë se EULEX-it për këtë çështje.
Megjithatë, ministri Rexhepi vlerësoi se operacioni në Veriun e Kosovës është kryer me sukses dhe synimi i tyre është arritur për vendosjen e ligjshmërisë në vend.
Mungesa e mjeteve për një operacion të tillë ishte kritikë e anëtarëve të komisionit, për të cilën ministri Rexhepi tha se janë duke e bërë listen e paisjeve të nevojshme për Policinë e Kosovës.
Për gjendjen e sigurisë në vend para anëtarëve të komisionit raportoi edhe u. d. i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, i cili me këtë rast tha se situata e sigurisë në vend konsiderohet të jetë e qetë. Ai tha se njësitë e tyre kanë kryer të gjitha obligimet dhe detyrat ashtu siç iu janë kërkuar dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët Policia e Kosovës ka shënuar një mori rezultatesh konkrete, me theks të veçantë në fushën e luftimit të krimit.
z. Maxhuni tha se në periudhën vijuese këto rezultate dhe të arritura do të jenë edhe më të avancuara, duke shtuar se Policia e Kosovës është në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in për të përcaktuar modelin dhe qasjen e nevojshme për të proceduar me veprime tjera operacionale në rifunksionalizimin e pikës kufitare në Jarinje dhe me vazhdimin e kontinuitetit në vendkalimin kufitar 31.
Në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë të Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, lidhur me situatën e sigurisë në vend, ka njoftuar anëtarët e komisionit edhe përmes një raporti me shkrim, të cilin raport e kritikuan anëtarët e komisionit, duke theksuar se është raport i përgjithësuar dhe joserioz.
Anëtarët e komisionit kanë kërkuar sqarime nga ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, lidhur me shkarkimin e drejtorit të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqit. Me këtë rast ministri Rexhepi theksoi se kjo çështje është kompetencë dhe vendim i kryeministrit të vendit.
Anëtarët e Komisionit gjatë këtij takimi më tej paraqitën shqetësime të shumta rreth raportit dhe gjendjes së sigurisë në vend si dhe kërkuan sqarime për numrin e saktë të plagosurve gjatë aksionit në veri të vendit. Me këtë rast ministri Rexhepi sqaroi se gjatë aksionit në fjalë është vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës, po ashtu është plagosur një person me mjet shpërthyes, ndërsa pesë të tjerë janë lënduar me gurë.