Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

, 17.10.2011




Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme të udhëhequr nga kryetari Nait Hasani, ka shqyrtuar propozim-amendamentet e grupit punues për Projektligjin për shitjen e banesave në të cilat ekziston e drejta banesore, si dhe ka diskutuar për çështje të tjera që lidhen me agjendën e komisionit për ditët dhe javët e ardhshme.

Komisioni e ka përkrahur projektligjin me amendamentet e propozuara dhe e ka proceduar tutje në komisionet e përhershme të Kuvendit.

Përfaqësues të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ndërkaq, i janë përgjigjur interesimit të anëtarëve të komisionit rreth çështjes së operatorëve që, sipas tyre, dëmtojnë ambientin, me theks të veçantë për aktivitetet afër Shpellës së Mermerit në Gadime.

Kryesuesi i Bordit të këtij komisioni, Ahmet Tmava, bëri një pasqyrim të gjendjes në këtë fushë dhe veprimeve që KPMM-ja ka ndërmarrë dhe po ndërmerr në ndalimin e operimit ilegal të operatorëve të tillë.

Anëtarët e komisionit ngritën shqetësimet e tyre për dëmtimin e natyrës nga aktivitetet e tilla, si dhe për dëmet e tjera që po iu shkaktohen qytetarëve dhe buxhetit të shtetit.

Duke iu përgjigjur çështjeve të ngritura, Tmava foli për aktivitetet minerare dhe problemet e shfaqura në kontekstin hapësinor, ndërsa sqaroi edhe çështjen e licencave që iu jepen operatorëve, pas marrjes së pëlqimit hapësinor nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, komuna përkatëse dhe pronari. Duke folur për operatorët ilegalë, ai tha se një nga format e aplikuara të luftimit të tyre, deri më tash, krahas shkresave dhe thirrjeve për ndalim të aktiviteteve, është ngritja e kallëzimeve penale. Por, sipas tij, efektet konkrete mund të priten vetëm me konfiskimin e makinerive të tyre, veprim ky që, sipas Tmavës, mund të fillojë menjëherë pasi Agjencia përkatëse për administrimin e pasurisë së konfiskuar të japë garancitë se mund t'i menaxhojë mjetet e konfiskuara.

Anëtarët e komisionit kërkuan marrjen e masave për ndërprerjen e aktiviteteve që bien ndesh me ligjin dhe dëmtojnë ambientin në vend.

U bë e ditur se për këtë çështje do të përgatitet një raport për Kuvendin.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...