Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
, 02.04.2012
Projektligji për Agjencinë e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore dhe Projektligji për ndërtime, nga anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, do të shqyrtoh në mbledhjen e radhës.
Kështu u vendos në mbledhjen e sotme kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit. Këtë vendim, Komisioni e mori me arsyetimin se u duhen konsultime shtesë me ekspertë të fushës dhe përfaqësuesit e Ministrive përkatëse. Ndërkaq, miratoi Projektligjin për mbeturina dhe Projektligjin për pasurimin e miellit. Këto rojektligje në vijim do t'u nënshtrohen procedurave të parapara me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM) për vitin 2011. Drejtori i ZRRUM-it Raif Preteni, duke folur para anëtarëve të Komisionit, vuri në pah sukseset dhe sfidat e ZRRUM-it për të cilat ndër të tjera tha: " Në vitin 2011, sektori i shërbimeve të ujësjellësit ka shënuar progres krahasuar me vitin 2010. ZRRUM-i, gjatë këtij viti ka bërë shqyrtimin e gjithanshëm të tërë procesit të monitorimit të aktiviteteve të kompanive, dhe ka zhvendosur këtë proces nga monitorimi i performancës për qëllime të menaxhimit, drejt kërkesave specifike në nivele të veçanta të shërbimeve dhe implikimeve të kostove për konsumatorët". Duke folur për sfidat që i përcjellin, Preteni vuri në dukje inkasimin e ulët për shërbimet që ata ofrojnë, uji i pafaturuar dhe investimet e ulta në këtë sektor. Në vijim, drejtori i ZRRUm-it, iu përgjigj pyetjeve që shtruan anëtarët e Komisionit, të cilët shprehën shqetësimin për praktikën e faturimit paushall nga ana e ZRRUM-it. Lidhur me këtë, Preteni njoftoi se kanë amendamentuar një Rregullore e cila i obligon kompanitë që brenda vitit të vendosin njehsorët në secilin vend ku ata ofrojnë shërbime. Pas debatit, Komisioni vendosi të mos e miratojë këtë Raport me arsyetimin se duhet plotësuar me të dhëna shtesë, si dhe të përmbajë rekomandime më të qarta për të qenë më efikas në të ardhmen.