Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

, 03.04.2012




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme diskutoi për Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2012, përkatësisht pikës 18 dhe 20. Kryetarja e Komisionit Suzan Novobërdaliu, tha se pikat 18 dhe 20 i referohen fushëveprimtarisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, për të cilat Komisioni është i obliguar të vlerësojë përmbushjen e tyre dhe lidhur me këtë të formulojë rekomandime për Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane. Se në ç'masë janë implementuar këto dy pika, anëtarët e Komisionit i njoftoi zv. Avokati i Popullit, Basri Berisha. Për sa i përket pikës 18, e cila në përgjithësi i referohet zbatimit të Ligjit për Avokatin e Popullit, Berisha vuri në dukje vështirësitë që e përcjellin këtë institucion.

Lidhur me këtë, ai në vijim u shpreh se ndërhyrja e Qeverisë në pavarësinë buxhetore të këtij institucioni, mospagesa e zëvendësve të Avokatit të Popullit dhe mungesa e hapësirave teknike, paraqesin sfidë në implementimin e Ligjit. Ai, po ashtu foli edhe për disa nene të ligjit të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në punën jo të efektshme të Avokatit të Popullit dhe nëpunësve të institucionit të Avokatit të Popullit. Me këtë rast ai përmendi dispozitën ligjore e cila nuk rregullon si duhet imunitetin e Avokatit të Popullit. Ndërkaq, duke folur për pikën 20 të Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2012, e cila ka të bëjë me komunikimin e Avokatit të Popullit me opinionin publik, zv. Avokati i Popullit Berisha, foli për angazhimet e këtij institucioni. Lidhur me këtë, ai paraqiti një pasqyrë statistikore të aktiviteteve të tyre, e që kishte të bënte me gjashtë mujorin e dytë të vitit 2011. Në këtë periudhë, vijoi Berisha, kemi pasur 42 paraqitje publike përmes medieve elektronike (TV, Radio, agjenci dhe portale lajmesh), tre konferenca për shtyp, një tryezë të rrumbullakët dhe kemi ridizejnuar Web faqen e Institucionit të Avokatit të Popullit. Për përmbushjen e obligimeve që dalin nga kjo pikë, Berisha po ashtu tha se Zyra Qendrore dhe zyrat regjionale të Institucionit të Avokatit të Popullit, janë të hapura për qytetarët dhe njerëzit në nevojë.

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...