Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës
, 20.04.2012
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), ka miratuar në shqyrtim të dytë katër projektligje dhe Projektkodin Penal i Republikës së Kosovës, me amendamente të komisioneve funksionale.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar: Hajredin Kuçi, Bajram Rexhepi, Besim Beqaj dhe Dardan Gashi.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, prezantoi raportin me amendamente të komisionit për Projektkodin Penal të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar atë si njërin ndër projektligjet më të rëndësishme për vendin.
Votimi për amendamentet që kishin të bënin me mediat, u shoqërua me diskutime nga ana e deputetëve. Deputetja Alma Lama, arsyetoi propozim -amendamentet 5 dhe 6, për heqjen neneve 37 dhe 38 të Projektkodit. Kryetari i komisionit dhe deputetë të tjerë, ndërkaq, paraqitën arsyetimet që këto dy nene të mbeten në projektkod.
Nënkryetari Xhavit Haliti, theksoi se Projektkodi duhet të parashoh ndëshkim dhe llogaridhënie për ata që mund të thonë të pavërtetën, që mund të shpifin për individët apo figurat publike.
Kuvendi nuk miratoi amendamentet 5 dhe 6, ndërkaq, pas miratimit një për një të amendamenteve të tjera të propozuara nga komisioni dhe një amendamenti të deputetit Bekim Haxhiu, miratoi projektkodin në tërësi.
Projektligji për fshatin Hoçë e Madhe dhe ai për Qendrën Historike të Prizrenit, gjithashtu, u shoqëruan me diskutime nga ana e deputetëve.
Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, prazantoi raportin me amendamente të komisionit, duke njoftuar që përveç amendamentit 5, amendamentet e tjera janë harmonizuar ndërmjet komisionit, qeverisë dhe faktorëve relevantë ndërkombëtarë. Ai kërkoi që amendamenti 5 i komisionit të miratohet nga deputetët.
Deputeti Hydajet Hyseni arsyetoi propozim-amendamentet e tij, ndërkaq deputeti Liburn Aliu shprehu kundërshtimin ndaj projektligjit dhe amendamenteve të propozuara.
Në paraqitjen e tij para deputetëve, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se puna e përbashkët ka rezultuar me bërjen realitet të vizionit për Kosovën demokratike, të pavarur dhe shumetnike. Ai tha se ky realitet është ndërtuar duke punuar së bashku, pozitë dhe opozitë, në një koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe duke u bazuar në Propozimin e Ahtisarit.
"Këtë vit, bashkërisht kemi filluar miratimin e ligjeve të fundit që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit. Duke përmbyllur një proces të tillë, ne sigurohemi që do t'i japim fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare", theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky moment duhet të merret shumë seriozisht, sepse paraqet një moment tjetër historik për Kosovën. Ai potencoi rëndësinë e miratimit të këtyre dy projektligjeve dhe që amendamentet e tyre të jenë në harmoni me Planin e Ahtisarit.
Kuvendi procedoi me votimin një për një të tyre, duke miratuar amendamentet e komisionit funksional, me përjashtim të amendamentit 5, i cili nuk mori përkrahjen e deputetëve. Qeveria, ndërkaq, hoqi dorë nga disa prej amendamenteve të propozuara. Më pas, projektligji u miratua në tërësi.
Deputeti Nait Hasani, në cilësi të kryetarit të komisionit funksional, prezantoi edhe raportin me amendamente për Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Ai tha se ndryshimet dhe amendamentet e propozuara, e kanë përmirësuar projektligjin në shumicën e përmbajtjes së tij.
Kuvendi miratoi amendamentet e propozuara nga komisioni, me përjashtim të amendamenteve 11 dhe 21, si dhe projektligjin në tërësi.
Në vazhdim të seancës, deputetët miratuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet Publike dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, me amendamente të komisioneve funksionale.