Lajmet e fundit

Teuta Sahatqija u takua me gratë e Komunës së Prizrenit

, 25.04.2012




Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, znj. Teuta Sahatqija u takua sot me gratë e Komunës së Prizrenit . Ky takim u organizua në bashkëpunim me fondacionin "Fridrieh Ebert Stiftung" dhe Top Radio nga Gjakova. Takimin e hapi, znj. Violeta Dema , e cila theksoi se ky është takimi i tetë që organizohet në bashkëpunim me GGD-në. Ajo foli për efektet e mira që kanë sjellë këto takime, të cilat kanë rezultuar me bashkëpunim të grave nga Parlamenti me gratë në asambletë dhe qeverisjen lokale, si dhe gratë nga degët e partive politike dhe shoqërinë civile në komuna. Znj. Sahatqija foli për angazhimet e GGD-ës për reformën zgjedhore, si dhe për rëndësinë e fuqizimit të grave në partitë politike, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet edhe kandidimi i tyre dhe zgjedhja e tyre në poste të rëndësishme. Ajo theksoi se në zgjedhjet e ardhshme për kryetar/e komunash është e nevojshme të kemi më shumë gra të kandiduara, në mënyrë që kësaj here të zgjedhet ndonjë kryetare komune.


Në diskutim morën pjesë edhe Fahrije Bytyqi, drejtoreshë në Drejtorin për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit , Kimete Bytyqi , Mubera Mustafa ish- zv. ministre e Shëndetësisë , Ajshe Shala , Vjosa Gashi, Fidan Zhella , Xhyzel Shiqani etj. Në fund u vendos që edhe gratë nga Prizreni të koordinohen me GGD-ën në projekte të përbashkëta që fuqizojnë gruan, ndërsa u propozua që të fillohet me kontributin e tyre edhe në blerjen e mamografit mobil.

 

Teuta Sahatqija u takua me gratë e Komunës së  Prizrenit