Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
, 27.04.2012
Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovë, njoftoi Komisionin për punët e deritashme dhe planet në vijim të kësaj ministrie.
Kryetari i Komisionit Albin Kurti, pasi falënderoi ministrin për gatishmërinë e tij që t'i përgjigjet ftesës së Komisionit, takimin e vlerësoi të rëndësishëm dhe rast të mirë që të njoftohen për punën e deritashme dhe synimet e MPJ-së.
Ministri Hoxha, i cili shoqërohej edhe nga zv.ministri i tij Ibrahim Gashi, duke vënë në pah punën e deritashme të MPJ-së, në paraqitjen e tij me këtë rast u fokusua në prioritetet e Ministrisë, duke i radhitur ato sipas rëndësisë që është vlerësuar nga ana e tyre. Si prioritet të parë për MPJ-në, ministri Hoxhaj tha se është përmbyllja e njohjes së plotë të pavarësisë nga komuniteti ndërkombëtar. Lidhur me aktivitetet e mininistrisë që kanë të bëjnë me shtimin njohjeve, Hoxhaj numëroi një vistër aktivitetesh. Po ashtu, prioritet të rëndësisë së veçantë ai përmendi edhe angazhimin për njohjen e pavarësisë nga pesë shtete të BE-së. Në vijim, ministri Hoxhaj tha se bashkëpunimi rajonal, integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që e kanë njohur Kosovën, nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale, kompletimi i stafit në nivel ambasadash dhe anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat dhe forumet ndërkombëtare, mbesin përkushtim i Ministrisë në të ardhmen. Duke folur për integrimet euro-atlantike, ministri Hoxhaj me këtë rast vuri në spikamë përpjekjet e Ministrisë që të arrijë tri objektiva: liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, marrjen e udhërrëfyesit për të cilin angazhohen të mos jetë në dy faza, por, të jetë sikurse që u është ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq, prioritet tjetër në këtë pako të angazhimeve, ministri përmendi që FSK-ja në fund të vitit 2013 (atëherë kur edhe i skadon afati i statusit të FSK-së ) të shëndërrohet në ushtri të mirëfilltë sipas standardeve të NATO-s.
Pas kësaj, anëtarët e Komisionit ngritën një varg çështjesh dhe i shtruan disa pyetje ministrit Hoxhaj. Në pyetjen: a është duke ndikuar negativisht në njohje vendosja e fusnotës në përfaqësimin e Kosovës në forumet ndërkombëtare, ministri tha se ai nuk ka vërejtur efekte negative. Për sa i përket bisedimeve me Serbinë dhe investimeve të huaja, ministri tha se tregtia e jashtme duhet të jetë pjesë e politikës së jashtme, ndërsa për të dyja këto çështje do të ishte e rrugës që të informohen nga zv. kryeministrat Tahiri e Pacolli, të cilët janë të emëruar të posaçëm për këto çështje, tha Hoxhaj. Lidhur me koston e financimit për lobim, sikurse kopjet e notave verbale, ministri tha se do t'ua dërgojë në Komision. Ministri po ashtu njoftoi edhe për Akademinë Diplomatike, si dhe një projekt për trajnim të stafit diplomatik të cilin në bashkëpunim me fondacionin "SOROS" synojnë të realizojnë. Lidhur me interesimin e anëtarëve të Komisionit, e që kishte të bënte me ambasadorët Ahmet Shala e Avni Spahiu, ministri Hoxhaj njoftoi se ata janë të propozuarit për ambasadorë në Japoni, përkatësisht Holandë. Në vërejtjen se anëtarët e Komisionit nuk janë pjesë e delegacioneve diplomatike të cilat MPJ-ja është e angazhuar, ministri i MPJ-së Hoxhaj premtoi se anëtarët e Komisionit mund të jenë pjesë e delegacionit në të gjitha agjendat diplomatike, kudo që ata dëshirojnë.
Në këtë mbledhje, Komisioni formoi edhe grupin punues për monitorimin Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, kryesues të grupit punues Komisioni zgjodhi Albin Kurtin, ndërkaq, anëtarë Hydajet Hysenin dhe Donika- Kadaj Bujupin.