Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 30.04.2012




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës për seancat plenare të 3 dhe 10 majit të këtij viti.

Pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës së seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët në seancën e 3 majit do të shqyrtojnë Rekomandimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për debat parlamentar lidhur me çështjen e personave të zhdukur, si dhe 5 projektligje në shqyrtim të dytë, përkatësisht: Projektligjin për themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale,Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të akcizave në Kosovë, si dhe Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, lidhur me Vendimin e presidentes për kthimin e Ligjit për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, në seancën plenare të 10 majit në rendin e ditës do të jetë interpelanca me zëvendëskryeministren, Edita Tahiri lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, në Bruksel, sipas kërkesës së Grupit të deputetëve nënshkrues, si dhe shqyrtimi i Raportit vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011, Raporti i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2011, Raporti i punës së Komisionit të Pavarur të Mediave, për vitin 2011,Raporti i punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, për vitin 2011,Raporti i punës së Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2011, Propozimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e anëtarit në Komisionin për Kërkesa Pronësore, Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Radiotelevizionit të Kosovës, për mbulimin e shpenzimeve të auditimit të performancës së RTK-së,Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e institucionit të Avokatit të Popullit, për caktimin e pagës së zëvendësavokatëve të popullit, njoftimi me reagimin e Avokatit të Popullit lidhur me rrjedhjen e mbledhjes së Komisionit për Buxhet dhe Financa, njoftimi i Komisionit për Legjislacion lidhur me emërimin e anëtarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës, dhe kërkesa e Komsionit ad hoc për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, për afat shtesë.

Rendi i ditës së seancës së 10 majit mund të plotësohet edhe më ndonjë pikë tjetër, nëse vijnë propozime shtesë dhe përkrahen nga Kryesia për t' u radhitur për seancë plenare.

Në këtë mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, u shqyrtua dhe u miratua Raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për vitin 2011, sipas Rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës