Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 08.05.2012




Dy raporte financiare të agjensioneve të pavarura, një kërkesë e qeverisë dhe një projektligj, kanë marrë sot përkrahjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Komisioni shqyrtoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ndërkaq zv/ministri i Financave, Ramadan Avdiu, e arsyetoi atë para deputetëve. Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, e cila udhëhoqi mbledhjen, theksoi se plotësim-ndryshimet e propozuara në projektligj kanë të bëjnë me bartjen e disa kompetencave nga institucionet ndërkombëtare te ato vendore, si dhe me krijimin e Fondit rezervë për asistencë emergjente të likuiditetit financiar, si pjesë e marrëveshjes me FMN-në.

Projektligji u përkrah nga anëtarët e komisionit dhe u procedua për shqyrtim të parë në seancë plenare.

Zv/ministri Avdiu gjithashtu, arsyetoi kërkesën e Qeverisë së Kosovës për konsultim me Komisionin për Buxhet dhe Financa, për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës në Kosovë. Pas diskutimeve pro dhe kundër, komisioni e përkrahu kërkesën e qeverisë.

Në vazhdim, u shqyrtua Projektligji për personat e verbër dhe personat pjesërisht të verbër, me amendamente të komisionit funksional. Për shkak të implikimeve buxhetore, komisioni rekomandoi dy ndryshime në amendamentet e komisionit funksional: një amendament të riformulohet, ndërsa një tjetër të fshihet fare.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e raporteve financiare të agjensioneve të pavarura, për vitin 2011. Raportin financiar të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2011, para deputetëve e prezantoi përfaqësuesi i këtij komisioni, Ahmet Tmava. Pas diskutimeve dhe ngritjes së disa shqetësimeve nga ana e anëtarëve të komisionit lidhur me veprimtarinë e operatorëve ilegalë, raporti u përkrah nga komisioni dhe u procedua për miratim në seancë plenare. Komisioni përkrahu edhe raportin financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ndërkaq kërkoi të dhëna shtesë nga Komisioni për Ndihmë Juridike.

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa