Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
, 15.05.2012
Në vazhdimin e mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, fillimisht foli deputeti Arsim Bajrami, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së. Me këtë rast ai propozoi që debati për fatin e të pagjeturve të mos politizohet dhe të mos jetë objekt i përplasjeve midis partive politike. Bajrami tha se kjo çështje është thellësisht fundamentale, çështje shtetërore dhe propozoi të ndalet ky debat, i cili më së paku iu bën nder të pagjeturve. Ai theksoi se fati i të pagjeturve dhe zbardhja e tyre është një detyrim shtetëror dhe kushtetues i të gjitha institucioneve të Kosovës.
Në vijim, deputetët shqyrtuan dhe përkrahën propozimin e Qeverisë së Kosovës për anëtarët e rinj të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, (për kryesues të bordit, Enver Halimi dhe anëtarë: Krenar Bujupi dhe Merita Kostari).
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj duke folur në emër të qeverisë tha se me këtë vendim do të mundësohet të ecin përpara projektet energjetike, ndërsa propozimin e qeverisë e quajti profesional. Ai tha se personi i propozuar për kryesues është një person që ka kredibilitet brenda ZRRE-së.
Disa nga deputetët e partive opozitare theksuan se të propozuarit nuk i plotësojnë kriteret dhe se kjo po plotësohet në baza partiake.
Në vazhdim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan raportin e punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, për vitin 2011. Duke arsyetuar raportin me rekomandime të Komisionit për Legjislacion, Armend Zemaj, tha se në komision është kërkuar nga drejtori i AKK-së që të ketë fokus më të madh në aspekte të veçanta, si dhe të rritet rezultati i punës.
Deputeti Arben Gashi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, mes tjerash tha se në këtë agjensi ekzistojnë probleme. Kjo, sipas tij, si rezultat i mungesave profesionale dhe i kapaciteteve ligjore. Ai shtoi se AKK-ja ka kapacitete të limituara që të merret me hetim dhe përndjekje, duke theksuar se duhet të fillohet të mendohet fakti se çfarë duhet të bëhet me këtë agjensi dhe të ketë një adresë të saktë për luftën kundër korrupsionit.
Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, tha se ky raport është i gjymtë, ndërsa shtoi se AKK-ja nuk ka qenë efikase në luftën kundër korrupsionit.
Duke theksuar faktin se Vetëvendosje nuk do ta përkrah këtë raport, Haxhiu shtoi se ky agjension duhet të marrë seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe të hartojë një strategji serioze, në të kundërtën , shtoi ajo, do të jetë i kotë ekzistimi i institucioneve të tilla.
Më tej Haxhiu shtoi se AKK-ja duhet të sjellë rezultate konkrete përmes denoncimit të aferave korruptive, ndërsa Ardian Gjini, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, theksoi se AKK-ja nuk mund ta luftojë korrupsionin nëse politika nuk e bën këtë.
Ai tha se për ta luftuar korrupsionin në mënyrë sistemore, duhet të gjitha institucionet ta bëjnë këtë, si dhe të ketë vullnet politik.
Duke sqaruar se AAK-ja do ta votojë raportin e AKK-së, shtoi: "nuk guxojmë në këtë lëmsh institucional, në luftë kundër korrupsionit, ta dënojmë një institucion i cili të paktën po mundohet të bëjë diçka".
Raporti i punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, për vitin 2011, mori mbështetjen e deputetëve.
Deputetët përkrahen edhe propozimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e anëtarit në Komisionin për Kërkesa Pronësore, Adem Vokshit, si dhe propozimin e Qeverisës së Kosovës për emërimin e anëtarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës, Ujup Krasniqi dhe Ismail Osdautaj.
Më tej u shqyrtua edhe kërkesa e Komisionit ad hoc, për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, për afat shtesë. Kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli, tha se arsyet kryesore për një vendim të tillë kanë qenë: numri i madh i amendamenteve të identifikuara dhe të aprovuara nga ana e komisionit, struktura jo e kënaqshme e ligjit ekzistues, si dhe numri i madh i gabimeve teknike dhe gjuhësore në ligjin ekzistues.
Demolli shtoi se komisioni gjatë punës së vet ka hasur në vështirësi të mëdha lidhur me sistemin zgjedhor dhe elementet përbërëse të tij siç janë: numri i zonave zgjedhore, natyra e listave zgjedhore , pragu zgjedhor, sistemi i shpërndarjes së ulëseve në parlament, etj.
Duke kërkuar mandat shtesë për tre muaj, Demolli tha se në komision janë paraqitur pesë propozime lidhur me numrin e zonave zgjedhore dhe ka qenë e pamundur të arrihet numri i votave të mjaftueshme për njërin nga propozimet. Ndërsa, Ismet Beqiri, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, propozoi që komisioni të ketë mandat shtesë një muaj.
Deputetët me shumicë votash mbështetën kërkesën e Komisionit ad hoc, për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, për tre muaj afat shtesë.
Krejtësisht në fund u përkrah edhe kërkesa e Komisionit për Bujqësi Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, për afat shtesë për shqyrtimin e Projektligjit për parkun kombëtar " Sharri" dhe të Projektligjit për parkun kombëtar "Bjeshkët e Nemuna".