Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi u prit në Ministrinë e Jashtme portugeze dhe në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme
, 16.05.2012
Në vazhdën e vizitës zyrtare në Lisbonë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe delegacioni që ai udhëheq, ka zhvilluar sot takime të veçanta me Sekretarin Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Portugalisë, Jose de Almeida Cesario dhe me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme dhe Komunitetet Portugeze, të kryesuar Alberto Martins, kryetar i këtij komisioni.
Zyrtarët e lartë portugez, duke e cilësuar vizitën e delegacionit parlamentar të Kosovës në Portugali, të një rëndësie të veçantë, theksuan se vendi i tyre përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe është mirë i informuar për rrugën e shtetndërtimit të saj, si dhe sfidat me të cilat ajo është përballur në rrafshin ndërkombëtar.
Ata shfaqën interesimin e tyre për situatën aktuale në Kosovë, ndërsa u zotuan se Portugalia do ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e objektivave të saj, si: ndërtimin e demokracisë, sundimin e ligjit, njohjet ndërkombëtare etj.
Kryetari Krasniqi falënderoi Sekretarin Shtetëror në Ministrinë e Jashtme, si dhe anëtaret e Komisionit për Punë të Jashtme, për mbështetjen e deritashme dhe për gatishmërinë e institucioneve portugeze për ta vazhduar këtë mbështetje edhe në të ardhmen. Edhe në këto takime Krasniqi kërkoi që Portugalia të shtrijë ndikimin te shtete mike të saj që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Kreu i Kuvendit foli për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, situatën në veri të vendit, integrimin e komuniteteve pakicë në jetën politike dhe institucionale, raportet me shtetet fqinje, procesin e integrimin evropian tw vendit tonë etj. Kryetari Krasniqi potencoi bashkëpunimin e mirë dhe raportet e shkëlqyera që Kosova ka me fqinjët e saj, me përjashtim të Serbisë, për të cilën Krasniqi tha se vazhdon t'i bëjë pengesa zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar të vendit tonë.
Duke folur për dialogun teknik me Serbinë, kryetari Krasniqi tha se Kosova ka hyrë në këtë dialog, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në bazë të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa shfaqi shpresën se do të ushtrohet presion mbi Beogradin për heqjen e strukturave paralele në veri të vendit tonë, në mënyrë që t'iu hapet rrugë veprimeve të ligjshme të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it. Krasniqi pohoi se si rezultat i këtij dialogu janë arritur disa marrëveshje, por Serbia nuk po shfaq interes për implementimin e tyre.
Sa i përket procesit të integrimit evropian të Kosovës, kryetari i Kuvendit veçoi hapat e fundit në këtë drejtim, me ç'rast vlerësoi se Kosova dhe BE-ja në marrëdhëniet ndërmjet tyre kanë bërë një hap tejet të rëndësishëm me fillimin formal të studimit fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
"Studimi i fizibilitetit për Kosovën është një hap i rëndësishëm, i cili çel një epokë të re të marrëdhënieve me BE-në", tha kryetari Krasniqi, duke shtuar se Kosova pret që udhërrëfyesi për vizat t'i prezantohet gjatë kësaj pranvere. Ai tha se pritet përparim edhe në hapjen e programeve të BE-së dhe anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ishte konkluzion i përbashkët se bashkëpunimi ndërmjet parlamenteve dhe vendeve tona duhet të thellohet edhe më tej.