Lajmet e fundit
Takim i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione
, 28.05.2012
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, kryesuar nga Suzan Novobërdali, kryetare Komisionit, kishte sot një takim me zëvendësin e Avokatit të Popullit, Basri Berisha, kryesuesin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, si dhe me disa përfaqësues të komunave. Në takim u fol për pikat 38 dhe 61 të Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane për vitin 2012. Gjatë debatit rreth pikës 38 u shprehën pakënaqësi rreth trupave që merren me të drejtat e njeriut, si në nivel lokal , ashtu edhe në atë qendror, si dhe të Avokatit të Popullit. Pakënaqësia shprehej për shkak të moszbatimit të rekomandimeve që dalin nga Avokati i Popullit. U përmend fakti se ka përzierje të kompetencave në mes Zyrës për Qeverisje të Mirë dhe Avokatit të Popullit, të cilat duhet të eliminohen.
Ndërkaq, përkitazi me pikën 61, që ka të bëjë me ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, për t' iu dhënë të drejtën edhe pjesëtarëve të komunitetit të LGBT-së që të identifikojë veten në shoqëri, me orientim përkatës seksual, shoqëria civile kërkoi mbështetjen e Komisionit për t' iu ofruar mbështetje këtij komuniteti, për të gëzuar të drejtat e tyre në pajtim me konventat ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Kosovës. Po kështu, u kërkua që në atë ardhmen të hapen debate dhe të njoftohet shoqëria kosovare me komunitetin homoseksual.