Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

, 29.05.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, raportuan ministrat e ministrive për Kulturë, Rini dhe Sport, të asaj për Administratë Publike dhe të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përkatësisht: Memli Krasniqi, Mahir Yagcilar dhe Ramë Buja, që kishin të bëjnë me përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit 2011.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, duke folur për sfidat që shtrohen para kësaj ministrie, tha se kjo ministri mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ministria i kushton kujdes të veçantë edhe evidentimit të dëmeve që iu bëhen objekteve të kulturës. Në vazhdim z. Krasniqi paraqiti një pasqyrë numerike për dëmet e ndryshme dhe vjedhjet që janë bërë në objektet e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ai tha se më së shumti nga këto objekte vidhen gjëra me vlerë, sidomos të metalta për përfitime të ndryshme. Atakimet kundër këtyre objekteve , tha z. Krasniqi nuk janë të motivuara etnikisht, por bëhen me qëllime përfitimi. Ministri Krasniqi foli edhe për kontributin e Policisë së Kosovës në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë, e cila në forma të ndryshme kujdeset e ruan 191 objekte, ndërsa KFOR-i bën sigurimin e Patrikanës së Pejës dhe Manastirit të Deçanit. Gjatë debatit, anëtarët e Komisionit theksuan se shpeshherë ndonjë dëm që i shkaktohet objekteve të trashëgimisë po instrumentalizohet nga qarqet serbe. Madje këtyre raste ve iu jepen edhe dimensione që nuk i kanë, duke adresuar këto edhe në nivele të lartë të institucioneve ndërkombëtare, madje edhe kur është fjala për ndonjë grafit fëmijësh. Diskutuesit ishin unik në përkrahjen e synimeve të kësaj ministrie, si dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, në mënyrë që raste të këtilla të mos ndodhin.

Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në fjalën e tij duke iu referuar edhe disa vlerësimeve në këtë Raport se shumë libra shkollorë ende nuk ofrohen në gjuhën amtare të komuniteteve turke, boshnjake dhe rome,pastaj se gjuha serbe nuk ofrohet si gjuhë e dytë zyrtare në shkollat publike jashtë zonave të banuara kryesisht nga serbët, theksoi se librat për arsimin fillor (nga klasa 1-9) ekzistojnë dhe jepen falas për të gjithë nxënësit e komuniteteve.

Për shkollat e mesme të komunitetit boshnjak dhe turk nuk ka tekste shkollore të hartuara në Kosovë, kështu që për komunitetin turk tekstet i ka siguruar Ambasada e Turqisë në Kosovë, për vitin shkollor 2012-2014.

Për komunitetin boshnjak, tekstet i kanë siguruar organizatat joqeveritare boshnjake nga Kosova me Kantonin e Tullës. Nxënësit për vitin shkollor 2012/2013 do të pajisen me një numër të konsiderueshëm të librave nga Bosnjë - Hercegovina për mësim në gjuhën boshnjake.
Vonesat e sigurimit të teksteve kanë ardhur si pasojë e mosaplikimit të autorëve për tekste në këto dy gjuhë, në ofertat e hapura nga MAShT-i. Momentalisht MAShT-i është në proces të vlerësimit të ofertës së ofruar nga katër autorë të dy teksteve në gjuhën turke dhe një autor për një tekst në gjuhën boshnjake (këto tekste kanë të bëjnë me lëndë nacionale).

Në gjuhën e komunitetit turk mungojnë tri tekste shkollore, kurse për gjuhën amtare të komunitetit boshnjak mungojnë tetë tekste shkollore (arsimi fillor).

Ndërkaq, sa i përket përkthimit të teksteve shkollore nga gjuha shqipe në gjuhën boshnjake dhe turke, deri tani në MAShT-i nuk ka pasur asnjë vërejtje me shkrim nga asnjë mësimdhënës, ose palë e interesit.

Për gjuhën rome është hartuar Kurrikula e gjuhës rome me elemente të kulturës dhe historisë, që gjatë vitit 2011/2012 është pilotuar në Komunën e Prizrenit, me ç'rast është punësuar një mësimdhënës i gjuhës rome. Konkursi për tekstin shkollor të gjuhës rome është shpallur dhe përmbyllur, por asnjë nga kandidatët aplikues nuk i ka plotësuar kriteret. Ai në vijim foli edhe për të arriturat në planprogramet të komuniteteve. Duke folur për përgatitjen shkollore të mësimdhënësve ai tha se në nivelin e institucioneve të Arsimit Parashkollore punojnë gjithsej 516 edukatorë, prej të cilëve 450 janë të kualifikuar ose 87.20 për qind,në nivelin e institucioneve të arsimit Fillor (1-9) punojnë gjithsej 17.451 mësimdhënës, prej të cilëve 16.289 janë të kualifikuar ose 93.3 për qind. Në arsimin parauniversitar punojnë gjithsej 23.269 mësimdhënës, prej të cilëve 21.445 të kualifikuar, ose 92.2 për qind. Sipas statistikave, Kosova ka 76 mijë studentë në institucionet e arsimit të lartë (publik dhe privat). Ai theksoi se bëhen përpjekje në ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta hulumtuese mes hulumtuesve kosovarë dhe hulumtuesve nga vendet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mundësohet transferimi i praktikave dhe përsosshmërisë kërkimore në Kosovë, si dhe promovimi i bashkëpunimit afatgjatë në fushën kërkimore. Përpjekjet aktuale në fushën kërkimore vazhdojnë në ngritjen e kapaciteteve administrative në menaxhim të fondeve kërkimore, të Fondit të Shkencës në harmoni me nevojat për zhvillim dhe kërkim shkencor në Kosovë. Në një pyetje se kur do të hiqet ndërrimi i tretë nga shkollat, z. Buja tha se viti 2013 do të heqë definitivisht punën e shkollave në ndërrimin e tretë. Ndërkaq, u theksua nevoja për reforma të thella në Fakultetin e Edukimit në Kosovë.

Në vijim Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike foli për Kornizën ligjore të domosdoshme për zbatimin e legjislacionit primar të shërbimit civil, e cila si tha ai, nuk është ende e plotë. Zbatimi i ligjeve për administratën shtetërore dhe për procedurat administrative ka qenë i kufizuar. Ndërkaq, sa i përket kornizës së domosdoshme ligjore për zbatimin e legjislacionit primar të Shërbimit Civil, përkatësisht: Ligjit për Shërbimin Civil, Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civil, ai informoi anëtarët e Komisionit se nga gjithsej 24 rregullore të parapara për implementimin e plotë të këtyre ligjeve janë aprovuar gjithsej 14, të hartuara nga Ministria e Administratës Publike dhe Zyra e Kryeministrit. Kosova, tha në vijim z. Yagcilar, ka nevojë të ndërtojë një administrate profesionale publike, jashtë ndërhyrjeve politike. Ky prioritet kyç i Partneritet Evropian, duhet të jetë synim i lartë politik. Në këtë vështrim janë përcaktuar mekanizmat ligjor me të cilët mbrohet Administrata Publike nga ndërhyrjet politike duke përcaktuar qartazi pozicionet në mes të të emëruarve politik dhe të nëpunësve civil, si dhe kushtet për mbajtjen e këtyre pozicioneve, theksoi Yagcilar.

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media