Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 06.06.2013
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetët ngritën çështje të ndryshme nga jeta shoqërore, ekonomike e politike. Ndërkaq, në pyetjet e deputetëve u përgjigjën: ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.
Në vijim në rendin e ditës në shqyrtim të parë ishte Projektligji për tregun dhe produktet e naftës, por ai u shty me kërkesë të Mimoza Kusarit Lilës, zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, e cila është në një vizitë jashtë shtetit. Ndërkaq, shqyrtimi i parë i Projektligjit për përgjimin e telekomunikimeve, u tërhoq nga procedura parlamentare me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi. Në vazhdim Kuvendi miratoi Projektligjin për blegtorinë.
Përkitazi me propozimin për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti njoftoi deputetet se janë përfillur procedurat ligjore për propozimin e gjyqtarit. Pas votimit të fshehtë, asnjëri nga kandidatët nuk fitoi shumicën e nevojshme për t' u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ndaj do të përsëritet konkursi për zgjedhjen e gjyqtarit.
Kuvendi në rendin e ditës në vijim kishte Propozimin për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Pas votimit asnjëri nga kandidatët nuk fitoi shumicën e nevojshme të votave për t' u zgjedhur anëtar i Bordit të BQK-ës, ndaj gjithashtu do të përsëritet konkursi për zgjedhjen e një anëtari të këtij Bordi.
Shqyrtimit të Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2012, i priu arsyetimi nga kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Idriz Vehapi, i cili theksoi se komisioni i rekomandon Kuvendit që të miratojë këtë raport.
Në emër të GP të PDK-ës foli deputetja Xhevahire Izmaku, e cila tha se në shërbimin civil ka pasur progres, ndërsa është rritur edhe besimi ndaj Këshillit. Ajo kishte vërejtje sa i përket vonesës së marrjes së vendimeve dhe ekzekutimit të tyre. Në emër të GP të AAK-ës, Teuta Haxhiu tha se me vendime të pazbatuara prin Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ajo në vijim përmendi edhe rastin kur kryetari i Këshillit lëshon vendime që nuk janë në pajtim me ligjin. Myzejene Selmani, duke folur në emër të GP të KKR-ës, tha se është bërë praktikë mosekzekutimi i vendimeve në shërbimin civil. Në emër të grupeve parlamentare SLS dhe 6+, përkatësisht Sasha Mihajloviq dhe Albert Kinolli, përkrahën në tërësi raportin. Goran Marinkoviq në emër të GP të Ardhmëria e Përbashkët, paraqiti një pasqyrë të gjerë të numrit të ankesave të institucioneve dhe agjencive të Kosovës. Ai kishte vërejtje se ndërprerja e marrëdhënies së punës së nëpunësve nuk po bëhet në pajtim me ligjin. Z. Marninkoviq u shpreh se nuk është përmbushur realizimi i shkallës prej 10 për qind të punëtorëve nga komunitetet pakicë në shërbimin civil. Deputeti Xhevdet Neziraj ishte kritik ndaj Ministrisë së Komuniteteve e cila , si theksoi ai, në shkallën e punësimit sillet në mënyrë diskriminuese ndaj komuniteteve rom,ashkalinj, egjiptian dhe goran. Ministri Mahir Yagcilar theksoi se është ndërmarrë nisma për ndryshimin e Ligjit për shërbimin civil. Në përfundim të debatit deputetët përkrahën Raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2012.
Kuvendi pastaj shqyrtoi Raportin e punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit për vitin 2012, të cilin, si theksoi nënkryetari Xhavit Haliti e kanë përkrahur Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për Buxhet dhe Financa, ndërsa arsyetimin në emër të Komisionit për Legjislacion e paraqiti deputeti Behar Selimi.
Arben Gashi (GP i LDK-ës) rekomandoi për një monitorim më të vëmendshëm të dukurisë së korrupsionit. Ai tha se korrupsioni është në rritje, megjithëse ekzistojnë disa institucione për të luftuar këtë dukuri.
Albulenë Haxhiu (GP i VV-ës) tha se raporti flet për përgjegjësinë, por nuk flet për misionin që duhet të kryejë. Agjensioni kundër Korrupsionit, tha ajo, merr vendime të paligjshme dhe lejon konfliktin e interesit. Burim Ramadani (GP i AAK-ës) theksoi se raporti bëhet, por nuk ndërmerret ndonjë veprim konkret për të luftuar korrupsionin. Ai tha se Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, nga lëmi i kontratave të dëmshme, vetëm një rast ka dërguar në Prokurori gjatë një viti. Gëzim Kelmendi (GP i KKR-ës) tha se raporti duhet të miratohet, sepse ky ka për mision identifikimin e korrupsionit, ndërsa gjyqësia dhe prokuroria ka përgjegjësi për të luftuar korrupsionin. Ai tha se ky grup e përkrah këtë raport.
Gjatë debatit u shtruan edhe pyetje se a ka nevojë për një agjension të tillë, përderisa ai nuk kryen punën si duhet, përkatësisht nuk është funksional dhe përgjegjës për misionin që ka. Theksohej se agjensioni nuk ka arritur performoncën e duhur.
Nënkryetari Xhavit Haliti në fjalën e tij theksoi se na duhet një ligj për këtë agjension. Ai u shpreh kritik ndaj mënyrës se si ky agjension jep informata për mediat. Pra, është i nevojshëm një ligj se si do të funksionojë ky agjension, theksoi ai.
Pasi përfunduan debatin, deputetët me shumicë votash miratuan Raportin e punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit për vitin 2012.