Lajmet e fundit

Nga mbledhja e të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

, 19.10.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, të cilën e kryesoi kryetari Fikrim Damka, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka raportuar në lidhje me Projektligjin për skemën pensionale të financuar nga shteti dhe për projektligjet e tjera që janë në procedurë.

Ministri Rashiq tha se Projektligji për skemën pensionale të financuar nga shteti është ligj shumë i rëndësishëm dhe si i tillë, është marrë shumë seriozisht nga ministria që ai udhëheq. Ai foli në detaje për ecurinë e hartimit të tij dhe proceset pasuese, deri te marrja e pëlqimit teknik nga ana e Bankës Botërore (BB), përderisa aprovimin e fundit e jep Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ai tha se BB-ja është faktor i pashmangshëm në zhvillimet e ardhshme të Kosovës dhe se sugjerimet e saj janë inkorporuar në këtë draftligj.

Duke folur për aspektet e brendshme të projektligjit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale theksoi se nuk ka ligj ideal, nëpërmjet të cilit do të zgjidheshin të gjitha problemet e një grupi shoqëror. Ai tha se fillimisht pensionet do të merren në mënyrë lineare, ndërsa më vonë mund të bëhet kategorizimi i tyre.

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, ngritën një varg pyetjesh dhe shqetësimesh që lidheshin me aspekte të ndryshme të projektligjit. Në këtë kontekst, ata shtruan çështjen e kontakteve dhe bashkëpunimit me pensionistët dhe ekspertët gjatë hartimit të projektligjit, përparësitë që do të ketë pensionistët pas miratimit të tij, prezencës së deputetëve gjatë negociatave me FMN-në etj. Përkitazi me këtë të fundit, ministri garantoi se tash e tutje në çdo takim me këtë mekanizëm ndërkombëtar do të ftohen edhe anëtarët e komisionit. Duke u përgjigjur rreth çështjeve të ngritura, ai e cilësoi projektligjin si serioz dhe profesional, i cili, sipas tij, i rregullon të drejtat e pensionistëve dhe sferat e tjera që kanë qenë të paqarta deri më tash.

Në vazhdim, ministri Rashiq foli edhe për projektligjet e tjera që i përkasin fushëveprimtarisë së dikasterit qeveritar që ai udhëheq dhe të cilat janë në procedurë.

Deputetja Flora Brovina, njëherësh kryesuese e grupit punues për amendamentimin e Projektligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre, dha detaje rreth punës që po bëhet në amendamentimin e këtij projektligji, përfshirë edhe negociatat me institucionet relevante vendore e ndërkombëtare.

Nga mbledhja e të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale