Lajmet e fundit

Fjala e kryeparlamentarit, dr. Jakup Krasniqi, mbajtur në Kuvend, me rastin e vizitës së zotit Luka Bebiq, kryetar i Saborit të Kroacisë

, 23.11.2011




E nderuar Presidente, zonja Atifete Jahjaga
I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi
Të nderuar deputetë, ministra, përfaqësues diplomatikë dhe të ftuar
Zonja dhe zotërinj

Kam nderin të prezantoj para jush në këtë seancë solemne të Kuvendit, kryetarin e Saborit të Republikës së Kroacisë, zotin Luka Bebiq.
I nderuar kryetar Bebiq, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve që na kanë zgjedhur, ju uroj mirëseardhje në vendin tonë dhe në Kuvendin e tij.

Shfrytëzoj këtë rast solemn, që t'i shprehim edhe njëherë mirënjohjen tonë të thellë Kroacisë mike dhe popullit të saj të mrekullueshëm, për solidaritetin dhe mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Kosovës dhe popullit të saj.

Dy vendet tona kanë marrëdhënie miqësie dhe bashkëpunimi në politikë, ekonomi dhe në fusha të tjera, si partnerë strategjikë. Komunitetet tona pakicë në të dyja vendet përbëjnë faktor nxitës bashkëpunimi dhe përafrimi midis nesh. Komuniteti pakicë i shqiptarëve në Kroaci zë vendin e tretë për nga madhësia. Ata po bëjnë punë të mirë dhe të organizuar për të ruajtur identitetin dhe lidhjet me Kosovën, por edhe duke u integruar mirë në shoqërinë kroate.

Në universitetet kroate kanë mbaruar me sukses studimet e larta mijëra kosovarë, kurse vetë komuniteti ka kontribuuar shumë jo vetëm për mbijetesën në Kosovë, para dhe gjatë luftës, por edhe për çlirimin e vendit.
Kemi qëndrim politik që komunitetit të vogël kroat, që jeton kryesisht në Janjevë, të cilin Ju do ta vizitoni, ta njohim si komunitet pakicë. Ky proces do të vazhdojë me ndryshimin e ligjit përkatës dhe të Kushtetutës së Kosovës, të cilat do të ndodhin së shpejti.

Komuniteti kroat jeton prej shekujsh këtu, pjesëtarët e të cilit njihen si punëtorë dhe qytetarë të ndershëm.

Ne presim të vazhdojë ndihma diplomatike e Kroacisë për njohjen e gjerë ndërkombëtare të republikës së Kosovës, për aderimin e saj në organizatat ndërkombëtarë dhe në bashkëpunimin rajonal e integrimet euroatlantike.

Kosova ka sfidat e saj të brendshme, siç janë zhvillimi ekonomik e demokratik, forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër varfërisë, shtrirja e pushtetit ligjor, administrativ e kushtetues në gjithë territorin e vendit, integrimi i komunitetit serb në shoqërinë e Kosovës, lufta kundër krimit e korrupsionit dhe integrimet euroatlantike, por edhe të jashtme, siç janë njohja e Republikës sonë nga pesë vende të BE që akoma nuk e kanë bërë këtë, anëtarësimin në OKB dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë.

Zgjidhja e çështjes së Kosovës përbën sui generis ndërkombëtar, për shkak të historisë së saj, për subjektivitetin shtetëror tradicional të Kosovës, për shkak të shpërbërjes së Federatës jugosllave, ku bënte pjesë dhe për shkak të gjenocidit që ka ushtruar regjimi i Milosheviqit në këtë hapësirë, prandaj nuk mund të gjendet një shembull tjetër si ky në botë.

Në veri të Kosovës, Beogradi ka ngritur struktura kriminale, me të cilat jo vetëm pengon integrimin e komunitetit serb të atjeshëm, por ndërhyn rëndë në rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit tonë. Bota demokratike duhet të ushtrojë presion mbi autoritetet serbe që të heqin dorë nga politika intervencioniste ndaj Kosovës dhe të mos hapin vatra të reja krize e rreziku në rajon.

Përkundër politikës aktuale serbe të urrejtjes dhe të dëmtimit të Kosovës, ne do të vazhdojmë të dërgojmë mesazhet e paqes e të mirëbesimit, të pajtimit e bashkëpunimit, sepse besojmë fuqishëm që kjo është e ardhmja jonë e përbashkët, kjo është rruga e integrimit të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian..

Zoti kryetar, Bebiq, kam kënaqësinë t'ju ftoj t'i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës.