Lajmet e fundit

Mesazh i kryetarit Jakup Krasniqi, me rastin e festave të fundvitit

, 29.12.2011




Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës
Zonja dhe zotërinj

Kosova po e mbyll edhe një vit përpjekjesh shtetndërtimi, zhvillimi e përparimi, për të hyrë në Vitin e Ri 2012 me të arritura evidente, por edhe me objektiva të reja plot sfida.

Viti 2012 shënon përvjetorin e katërt të pavarësisë së Kosovës dhe jubileun e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Kosova e re, e përcaktuar dhe e angazhuar fuqishëm për demokratizimin e vazhdueshëm, për zhvillimin ekonomik e shoqëror, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për integrimet euroatlantike, gjatë vitit që po hyjmë do të bëjë hapa të tjerë drejt perspektivës së saj të sigurt.

Duke qenë në të drejtën e saj legjitime, si subjekt i përgjegjshëm ndërkombëtar, si faktor paqeje e stabiliteti, Kosova e pavarur dhe sovrane, do të njihet ndërkombëtarisht edhe nga vende të tjera, për t'u bërë shpejt anëtare e barabartë në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë e rajonalë.

Me pasuritë e shumta që ka, me rininë e saj të mrekullueshme, të motivuar fuqishëm për përparim dhe zhvillim, me mbështetjen dhe solidaritetin e gjerë ndërkombëtar, Kosova do të ndryshojë nga viti në vit, për t'u kthyer në një vend të lulëzuar e të begatë.

Uroj që Viti i Ri 2012 t'ju sjell mirëqenie, gëzime dhe realizim të ëndrrave tuaja!

Gëzuar!

Mesazh i kryetarit Jakup Krasniqi, me rastin e festave të fundvitit